Fjalë Kyçe

A do t’u shtrenjtohet jeta qytetarëve pas vendimit për taksë ndaj mallrave të Serbisë?

A do t’u shtrenjtohet jeta qytetarëve pas vendimit për taksë ndaj mallrave të Serbisë?

Milionat që Serbia merr nga eksporti në Kosovë, sipas kryeministrit Haradinaj, po përdoren për fushata kundër Kosovës, dhe kjo s’duhet të kalojë pa përgjigje. Qeveria mori vendim sot për një embargo ndaj mallrave serbe me taksa shtesë prej 10 për qind. Kreu i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, për Express tregon se çfarë ndikimi do të ketë ky sanksionim.

Qeveria e Kosovës sot mori vendim që të vihet taksë prej 10 për qind ndaj produkteve serbe. Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se u mor ky vendim si sanksion ndaj sjelljeve armiqësore që ka shteti serb ndaj Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka komentuar për Gazetën Express vendimin e sotëm të Qeverisë,

“Në kushtet e funksionimit të CEFTA’s, produktet serbe nuk kanë pasur tarifë doganore. Në kushtet e një vendimi të tillë vendoset një taksë prej 10 për qind në import. Për çdo import të ri që vjen nga Serbia, atëherë do të paguhet 10 për qind mbi këtë vlerën e produktit që importohet”, ka sqaruar Rukiqi.

Ai thotë se produkteve të cilave i janë vënë masa nga Qeveria, nuk do të kenë rritje të menjëhershme, por gjendja mund të ndryshoj nëse sanksionet nuk janë të përkohshme.

“Mbi këtë bazë nuk pres efekte afatshkurtra në çmime, nëse kjo është e përkohshme, mirëpo nëse zgjat sigurisht rritja e kërkesave për këto produkte mund ta ndikojë edhe çmimin. Për shkak se pjesa më e madhe e stoqeve ende janë aktive, dhe si të tilla janë importuar me vlerat e kaluara, kështu që nuk pres efekte të menjëhershme në çmime”, ka thënë Rukiqi,.

Kryetari i Odës Ekonomike thotë se edhe më parë ka propozuar që të ketë sanskione ekonomike për Serbinë për të arritur efekte politike.

“Ka fushatë destruktive dhe një mosrespektim të vazhdueshëm të marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare nga ana e Serbisë. Edhe kur Serbia nuk e ka respektuar marrëveshjen për energji, e kam propozuar të njëjtën”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, Serbia ka merituar sanksionet e tilla dhe sanksionimi ekonomik është një metodë e përshtatshme që ta bëjë Serbinë të sillet komfor marrëveshjeve që arrin me Kosovën.

Kryeministri Haradinaj sot pas mbledhjes së Qeverisë ka përmendur qasjen armiqësore të Serbisë si arsye të vendosjes së sanksionove.

Ai tha se Serbia përfiton qindra miliona nga eksporti në Kosovë, ndërsa vazhdon që të bëjë fushatë kundër shtetit të Kosovës.

Kosova importon mallra nga Serbia trefish më shumë se sa nga Serbia dhe shumëfish më shumë se nga vendet tjera fqinjë.

Në vitin 2016, Kosova kishte thyer rekord me import prej Serbisë, duke arritur shifrën 400 milionë eurove.