Fjalë Kyçe

Kuvendi miraton në parim projektligjin për referendumin

Kuvendi miraton në parim projektligjin për referendumin

Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin për referendumin. Për votuan 49 deputetë, kundër ishin 6, ndërsa 6 deputetë abstenuan.

Propozues i projektligjit ishte Grupi Parlamentar i Partisë Social-Demokrate dhe, sipas deputetit Faton Topalli, projektligji parasheh tri lloje të referendumit: referendumin shfuqizues, i cili mundëson shfuqizimin e një ligji ose një pjese të tij; referendumin konsultativ, i cili iniciohet nga presidenti ose kuvendi dhe përmes tij kërkohet mendimi i qytetarëve për ndonjë çështje të caktuar, si dhe referendumin kushtetues, përmes të cilit kuvendi mund të organizojë referendum për ndryshime kushtetuese, duke përfshirë edhe dy të tretat e minoriteteve dhe vendeve të rezervuara.

Sipas deputetit Topalli, projektligji parasheh që 12 qytetarë, nëse arrijnë të mbledhin 100,000 nënshkrime nga lista e votuesve, mund të iniciojnë po ashtu referendum për një çështje të caktuar.

Partia Social-Demokrate, sipas deputetit Topalli, vlerëson se projektligji për referendumin është instrument kundër “kapjes së shtetit, monopoleve ekonomike dhe politike, si dhe shkeljes së të drejtave të njeriut”.

Kosova deri më tani ka miratuar vetëm ligjin për referendum lokal, ndërsa të mërkurën në parim miratoi projektligjin për referendum në nivel të shtetit.

E drejta e referendumit parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, neni 81 i kushtetutës e ndalon të drejtën e referendumit për disa ligje me interes vital, siç janë: ligjet që ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare; ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me kushtetutë; ligjet për përdorimin e gjuhëve; ligjet për zgjedhjet lokale; ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare; ligjet për arsimin; ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.