Fjalë Kyçe

Ligji për qeverinë ia kursen buxhetit nga 3.5 milionë euro në vit

Ligji për qeverinë ia kursen buxhetit nga 3.5 milionë euro në vit

Koordinatori nacional për reforma shtetërore Besnik Tahiri, ka thënë se numri i ministrive dhe i zëvendësministrave duhet të sanksionohet me ligjin për qeverinë.

Këtë deklaratë ai e ka bërë në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën ‘Strukturimi i të pastrukturuarës: Si ta zvogëlojmë strukturën qeveritare’.

“Ne në komision mendojmë që duhet me sanksionu numrin e ministrive dhe zv/ministrave në ligjin për qeverinë. Por problemi qëndron se juristët në komision mendojnë që nuk është e drejtë që partive apo qeverisë t`iu sanksionohet e drejta për strukturim, e nëse unë nuk kam të drejtë me e sanksionu numrin e ministrive me ligj atëherë ku është poenta që të kemi ligj. Esenca e problemit është numri i madh i ministrive dhe detyrat dhe përgjegjësitë që i ka secila ministri’’, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu tha qeveria funksionon ende me rregullore ani pse ligji për qeverinë ekziston që nga viti 2009.

“Unë e kam marrë një ligj, i cili është prej vitit 2009, ky quhet ligji për qeverinë. Është e dhimbshme që prej vitit 2009 flitet për ligj për qeverinë, ndërsa qeveria ende funksionon me rregullore’’, ka deklaruar Tahiri.

Ndërsa ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, tha se ministria po punon për reforma në Administratën Publike, duke pasur gati tri ligje.

‘’Strukturimi i qeverisë dhe numri i ministrive duhet të rregullohet me ligjin për qeverinë. Jemi në fazën ku po bëjmë reforma në Administratën Publike, ku bazohet në tre ligje, Ligji për Administratën Shtetërore, Ligji për zyrtarët publik dhe Ligji për paga. Duhet të kemi kujdes që në të ardhmen ligji për qeverinë të ketë frymën e këtyre tre ligjeve’’, ka thënë Yagcilar.

Në anën tjetër, Albana Rexha nga GLPS, duke e përshkruar të gjeturat e raportit, tha se kjo është struktura qeveritare më e madhja që e ka pasur Kosova ndonjëherë dhe më e madhja në Ballkan.

‘’Kjo strukturë qeveritare është më e madhja që Kosova ka pasur ndonjëherë dhe përbëhet nga 21 ministri, afërsisht rreth 80 zv/ministra dhe 5 zv/kryeministra. Kjo është edhe struktura më e madhe në Ballkan’’, tha Rexha.

Ajo gjithashtu, tha se GLPS-ja vlerëson që duhen të përshpejtohen procedurat që në Kuvendin e Kosovës të kalojë një ligj për qeverinë, i cili nuk do të lejonte që vetëm kryeministri që ta rregullonte strukturën e qeverisë, por edhe kuvendi ta ketë fjalën e vet.

‘’Ristrukturimi i qeverisë do të ia kursente buxhetit rreth 3.5 milionë euro në vit ndërsa brenda një cikli 4 vjeçar rreth 14 milionë euro’’, përfundoj Rexha.