Fjalë Kyçe

Hapet mozaiku i Bazilikës, arkeologë francezë regjistrojnë detajet

Hapet mozaiku i Bazilikës, arkeologë francezë regjistrojnë detajet

Në mes të qytetit të Elbasanit është zbuluar mozaiku i Bazilikës paleokristiane. Studios dhe arkeologë francezë janë duke regjistruar të gjitha detajet.

Specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës së bashku me studiuesen franceze Marie Patrisia Raynaud kanë hapur mozaikun e Bazilikës Paleokristiane në qendër të qytetit të Elbasanit.Grupi i specialistëve është duke studiuar dhe dokumentuar të gjitha të dhënat e këtij mozaiku i cili, sipas studiueses franceze është më i bukuri në Shqipëri dhe më tej.

“Është një bazilikë interesante, pak e komplikuar sepse gjetëm pjesë të arkitekturës, pjesë liturgjie, por më mbresëlënës është mozaiku.Nga viti 2007-2012 këtu u gjetën disa mozaikë dhe pjesë qendrore e tij është kupola e kishës e cila përmban mozaikun më të bukur që kemi në Shqipëri. Sepse ikonografia dhe temat janë shumë të pasura, ka shumë kafshë, panele të shkëlqyera, por mbi të gjitha një larmishmëri ngjyrash, shumë më tepër se në mozaikët e tjerë”, u shpreh Marie Patrisia Raynaud, Qendra e Kërkimeve Shkencore, Paris, shkruan Top Channel

I zbuluar në vitin 2007 si një nga mozaikët më të bukur në vend, synimi kryesor ka qenë qasja ne te dhe tërheqja e turisteve. Në lidhje me këtë studiuesja franceze jep sugjerimet e saj.

“Mozaiku duhet të ruhet aty ku ndodhet, pra jo të hiqet dhe të vendoset në muze, sepse ai ende është në kushte shumë të mira, këtu në brendësi të kishës. Ne mendojmë që gjëja më e mirë është që njerëzit ta shohin mozaikun, por ai nuk duhet të preket nga uji, shiu apo mbeturinat. Pra më e mira është që mozaiku të ketë një tip mbulese nga e cila mund ta shohësh atë, por jo ta prekësh”, shtoi Marie Patrisia Raynaud.

Pjesë e rëndësishme e projektit është ruajtja e tij dhe frenimi i degradimit të mëtejshëm. Instituti i Monumenteve është duke restauruar pjesët e rrezikuara për të shmangur rrëshqitjet e tyre dhe prishjen e copëzave të mozaikut.