Fjalë Kyçe

Kraja u përgjigjet kritikave rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

Kraja u përgjigjet kritikave rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

Kryeredaktori redaksisë së Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, lidhur me vërejtjet dhe reagimet e ndryshme rreth botimit në fjalë.

Përmes këtij reagimi të gjatë, Kraja pretendon të japë disa sqarime, siç potencon ai, mbi “akuzat, polemikat, të pavërtetat dhe të vërtetat e pathëna për këtë botim enciklopedik”.

“Fjalori Enciklopedik i Kosovës, duke qenë projekti i parë enciklopedik te ne, është njëkohësisht edhe botimi i parë që i nënshtrohet një shqyrtimi publik. Shqyrtimi dhe vlerësimi publik paraqitet i domosdoshëm, pavarësisht se nga fillimi kam qenë i vetëdijshëm se ai nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj. Por, mbi të gjitha, Fjalori nuk kishte pse të mbante mbi vete krejt kritikat, pakënaqësitë dhe paragjykimet e opinionit për punën e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës, aq më tepër kur tashmë është bërë e ditur se në hartimin Fjalorit e patën angazhimin më të madh bashkëpunëtorët e jashtëm, kryesisht profesorë universiteti, punëtorë institutesh, shkrimtarë, publicistë, njerëz të artit dhe të shkencës, që të gjithë ekspertë të njohur të fushave të tyre”, ka thënë Kraja në fillim të reagimit të tij.

Ai thotë se është situatë paradoksale dhe groteske, që ekspertët e angazhuar në përpilimin e Fjalorit t’i nënshtrohen “një kritike joparimore, e cila i ngjan damkosjes publike, pse paskan bërë një punë me vlerë në organizim të Akademisë”.

“Ndërkaq, vërejtjet dhe kritikat e shqiptuara së fundi, duke qenë të paargumentuara, shpesh tendencioze dhe pa dije elementare janë nga më joparimoret që kam parë ndonjëherë në komunikimin publik. Në shumë raste oponencë e Fjalorit janë bërë persona që nuk e kanë as idenë se çfarë është një fjalor enciklopedik, ose të nxitur nga pasione dhe pakënaqësi personale (partiake, ose klanore), kryesisht për shkak të mospërfshirjes, ndonëse ka shumë raste, kur kritikat shqiptohen pa e parë me sy Fjalorin, pa e hapur dhe pa e lexuar asnjë rresht prej tij. Kritikat e këtilla, kaq të papërgjegjshme dhe kaq tendencioze, janë krejtësisht pa vlerë dhe nuk besoj se mund t’i shërbejë ndonjë kauze”, potencon Kraja.

Akademik Kraja ndër të tjera pranon se në Fjalor janë bërë edhe gabime, edhe përkundër se i njëjti ka kaluar në procedura të shumta.

“Pavarësisht se tekstet e Fjalorit kanë kaluar procedura të shumta, të përsëritura dhe këmbëngulëse, gabimet reale janë të mundshme. Gabime mund të ketë në përfshirjen e zërave, në hartimin e teksteve dhe në vjeljen e të dhënave. Arsyet për gabime burojnë nga vëllimi shumë i madh i lëndës, nga mungesa e përvojës, ndonjëherë nga pakujdesia, nga anësitë e ndryshme etj”, ka theksuar kryeredaktori i redaksisë së Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.

 

Ky është shkrimi i plotë i Krajës:

Disa shpjegime rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

Mbi akuzat, polemikat, të pavërtetat dhe të vërtetat e pathëna për këtë botim enciklopedik. Fjalori Enciklopedik i Kosovës, duke qenë projekti i parë enciklopedik te ne, është njëkohësisht edhe botimi i parë që i nënshtrohet një shqyrtimi publik. Shqyrtimi dhe vlerësimi publik paraqitet i domosdoshëm, pavarësisht se nga fillimi kam qenë i vetëdijshëm se ai nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj. Por, mbi të gjitha, Fjalori nuk kishte pse të mbante mbi vete krejt kritikat, pakënaqësitë dhe paragjykimet e opinionit për punën e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës, aq më tepër kur tashmë është bërë e ditur se në hartimin Fjalorit e patën angazhimin më të madh bashkëpunëtorët e jashtëm, kryesisht profesorë universiteti, punëtorë institutesh, shkrimtarë, publicistë, njerëz të artit dhe të shkencës, që të gjithë ekspertë të njohur të fushave të tyre. Si kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i Fjalorit kam punuar bashkë me Redaksinë Qendrore dhe me 24 redaksi të fushave, në përbërje të të cilave ishin 72 ekspertë të dijeve përkatëse, ndër më të mirët që ka Kosova, kryesisht emra të njohur për opinionin e gjerë. Emrat e tyre janë të shënuar në hyrje të të dy vëllimeve të Fjalorit. Është situatë paradoksale dhe groteske, që këta ekspertë t’i nënshtrohen një kritike joparimore, e cila i ngjan damkosjes publike, pse paskan bërë një punë me vlerë në organizim të Akademisë.

Ndërkaq, vërejtjet dhe kritikat e shqiptuara së fundi, duke qenë të paargumentuara, shpesh tendencioze dhe pa dije elementare janë nga më joparimoret që kam parë ndonjëherë në komunikimin publik. Në shumë raste oponencë e Fjalorit janë bërë persona që nuk e kanë as idenë se çfarë është një fjalor enciklopedik, ose të nxitur nga pasione dhe pakënaqësi personale (partiake, ose klanore), kryesisht për shkak të mospërfshirjes, ndonëse ka shumë raste, kur kritikat shqiptohen pa e parë me sy Fjalorin, pa e hapur dhe pa e lexuar asnjë rresht prej tij. Kritikat e këtilla, kaq të papërgjegjshme dhe kaq tendencioze, janë krejtësisht pa vlerë dhe nuk besoj se mund t’i shërbejë ndonjë kauze.

Procedurat dhe gabimet

Enciklopeditë, botimet enciklopedike, fjalorët enciklopedikë etj., i këtillë siç është edhe Fjalori Enciklopedik i Kosovës, kanë një detyrë të vështirë, sepse, në perceptimin e shumicës së atyre që e marrin në dorë një vepër të tillë, jetën që është në vazhdim në njëfarë mënyre ju kërkohet ta kthejnë në “libër historie”, pa çka se Fjalori (dhe asnjë vepër e ngjashme me të) as shkruan histori dhe as ndanë merita. Pra, janë një numër procesesh shoqërore dhe historike, projekte, punë krijuese dhe jetë individësh që ende vazhdojnë, por që duhet të kthehen në informacion, të sistemohen në tërësinë e të dhënave dhe të prezantohen në formë të përshtatshme përpara opinionit. Një punë e këtillë, pa mbështetje në asnjë përvojë dhe pa asnjë bazë të të dhënave në Kosovë, ka filluar me evidencimin e lëndës enciklopedike. Më 2014 është botuar “Fjalësi i zërave të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës” me rreth 6,300 zëra, i cili, pasi u është shpërndarë institucioneve relevante të arsimit, të kulturës dhe të shkencës, për disa muaj ka qëndruar “në diskutim publik”, i hapur për vërejte dhe sugjerime. Disa nga këto institucione e kanë bërë këtë, duke e mbështetur projektin me sugjerime të vlefshme. Për çdo gjë më pas është vendosur në redaksitë e fushave dhe vërejtjet që tani bëhen, sipas parimit të subordinimit, së pari iu takojnë këtyre redaksive që të japin përgjigjen e tyre profesionale dhe të argumentuar. Më pas, harmonizimin e lëndës e ka marrë përsipër Redaksia Qendrore, e cila ka punuar me një përgjegjësi të lartë profesionale. Ndërkohë, është hartuar nga kryeredaktori “Udhëzuesi për hartimin e teksteve” dhe në redaksitë e fushave janë evidencuar autorët që do t’i shkruajnë zërat. Janë 506 autorë që i kanë shkruar tekstet e zërave, të cilët janë të nënshkruar në fund të secilit tekst dhe që mbajnë përgjegjësinë kryesore për saktësinë e të dhënave dhe relevancën e tyre.

Pavarësisht se tekstet e Fjalorit kanë kaluar procedura të shumta, të përsëritura dhe këmbëngulëse, gabimet reale janë të mundshme. Gabime mund të ketë në përfshirjen e zërave, në hartimin e teksteve dhe në vjeljen e të dhënave. Arsyet për gabime burojnë nga vëllimi shumë i madh i lëndës, nga mungesa e përvojës, ndonjëherë nga pakujdesia, nga anësitë e ndryshme etj. Është e njohur për të gjithë ne, se shkrimi nuk është ana e fortë as e shkencëtarëve dhe studiuesve tanë, siç nuk është ana e fortë as e atyre që tani shkruajnë reagime me gabime për të qeshur ose për të të mbërthyer vaji. Për ta reduktuar dhe për ta çuar në një minimum të arsyeshëm vëllimin e gabimeve, teksteve u është bërë redakturë e themeltë nga secili redaktor i fushës dhe nga redaktori përgjegjës, në shumë raste duke rishkruar zërat në tërësi. Më pas tekstet kanë kaluar tri lektura të njëpasnjëshme. Por, gabime mund të ketë përsëri, në përfshirje, në shkrim, në nivelizim dhe harmonizim midis fushave etj. Mund të ketë edhe gabime përmbajtësore, gabime drejtshkrimore, teknike etj. Ashtu sikundër është thënë edhe në parathënien e Fjalorit dhe me rastin e prezantimit të botimit, një redaksi e re, e ngritur në Akademi, do të duhej t’i evidenconte gabimet, vërejtjet dhe sugjerimet; po kjo redaksi do të duhej t’i ndiqte proceset që janë në zhvillim, t’i plotësonte zërat, t’i korrigjonte ato ku shfaqet nevoja dhe pas 5 vitesh të bëjë një botim të ri të plotësuar. Kjo është praktikë që ndiqet në të gjitha botimet e kësaj natyre. Megjithatë, edhe përkundër këtij pohimi jo aq vetëmburrës, e them me përgjegjësi të plotë se një vepër e këtillë kolektive me këtë nivel shkrimi nuk është bërë ndonjëherë në Kosovë.

Kundërvëniet politike

Në shoqërinë kosovare ekziston një konflikt politik permanent, i cili buron nga fillimi i viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe vazhdon ende. Ndonëse intensiteti i këtij konflikti ka pasuar ngritja dhe rënie, ai nuk është fashitur në tërësi pothuajse asnjëherë. Konflikti ndërmjet ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas natyrës së gjërave, duke qenë se është reflektuar në mbarë institucionet dhe jetën publike në Kosovë, ka qenë e pritshme që të ushtrojë ndikim edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Natyrisht, Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë gjyq, i cili do të vendoste drejtësi në këtë çështje dhe në asnjë çështje tjetër. Por në një pikë duhet të jemi të qartë: Lufta e viteve 1998-1999 nuk është histori e lavdishme e LDK-së. LDK ka vlerat e saj, për të cilat jemi dijeni të gjithë, por lufta 1998-1999 nuk bën pjesë në ato vlera. Tani, nuk më bëhet të besoj se militantët e LDK-së nuk e paskan ditur këtë dhe se Fjalori u dashka ta fsheh këtë të vërtetë, e cila tashmë është bërë historike. Duke u nisur nga kjo rrethanë, ka qenë e pritshme që redaksia e fushës së luftës së viteve 1998-1999 të vinte pikërisht nga një proveniencë e afërt me UÇK-në. Kjo redaksi, si shumica e redaksive të fushave të tjera, ka punuar me përkushtim dhe përgjegjësi. Në të gjitha takimet e redaksive të fushave me Redaksinë Qendrore, ku janë shqyrtuar edhe zërat nga kjo fushë, nuk janë shprehur vërejtje substanciale. Tani duan të thonë se disa personalitete të shquara të LDK-së nga periudha e luftës nuk janë përfshirë në Fjalor dhe ky qenka një cenim i madh që i bëhet këtij krahu politik. Por unë dua të jem krejtësisht i qartë, kur them se kjo vërsulje që i bëhet Fjalorit nga disa militantë dhe portale të LDK-së nuk mund ta fshehë as ta minimizojë dështimin historik të këtij krahu politik dhe se përmes vërsuljeve të këtilla nuk mund të amnistohet as të anashkalohet ky dështim. Aq më pak t’i atribuohet dikujt tjetër. Ndërkohë, le të më lejohet të them, pa prekur sentimentin e askujt, se hero nuk mund të bëhet askush nga dinjitarët për shkak të aktit kriminal të vrasjes së tij, por i tillë bëhet për shkak të veprimtarisë për një kauzë madhore. Hasan Prishtina nuk u bë hero pse u vra nga Ahmet Zogu, por për kontributin e të tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.

 

Pse antikombëtar?

 

Kualifikimi i Fjalorit si antikombëtar është më i shpifuri prej krejt kualifikimeve të tjera, sepse është etiketë, është damkë që mund t’i vihet kujtdo, pa pasur nevojë të argumentohet. Po pse me kaq ngutje iu vu kjo damkë Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, nga ndonjë individ që prej kohësh e ka marrë përsipër punën e vështirë të presë bileta “kombëtare” ose “antikombëtare” për parajsë ose për ferr? Pse pa e shfletuar ende, pa parë përmbajtjen, pa gjetur tamam asnjë gabim? Sepse kualifikimet e këtilla bëhen pikërisht kështu, me zhurmë, me fjalë të mëdha, pa argumente. Megjithatë, siç mund të merret me mend, arsye për një faj të këtillë mund të jetë pse Fjalori Enciklopedik i Kosovës e paska ndarë Kosovën nga Shqipëria dhe pse ky botim nuk e paska lënë Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të ruajë monopolin e tij edhe në Kosovë.

 

Lidhur me ndarjen e Kosovës si entitet më vete, në parathënie është shkruar: “Botimi i këtij Fjalori, përveç që përmbush nevojat për një shfrytëzim të gjerë nga lexues të ndryshëm, njëkohësisht krijon bazën e të dhënave për Kosovën si entitet i mëvetësishëm politik, gjeografik, ekonomik dhe kulturor, por duke mbajtur në vëmendje se Kosova është pjesë e një tërësie më të gjerë historike dhe kulturore shqiptare dhe se ndarjet në këtë drejtim, pavarësisht nëse janë të përkohshme ose të qëndrueshme, gjithnjë janë artificiale dhe të panatyrshme.” Dhe më tej: “Përfshirja e ndarë e Kosovës në këtë lëndë enciklopedike nuk paragjykon qëndrueshmërinë e zgjidhjeve politike, as aktuale e as të pritshme. Ndarja e Kosovës nga tërësia historike dhe kulturore shqiptare në këtë rast është bërë për arsye praktike dhe, duke anashkaluar çdo interpretim me prapavijë, synon të konsolidojë dijet për botën shqiptare dhe të plotësojë informacionin për të, kudo që ai mund të përfshihet dhe të përdoret.” Çfarë sekreti antikombëtar paska këtu? Fjalori nuk e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, nuk ia bëri Kushtetutën, Parlamentin, Qeverinë, Flamurin, Himnin, kufijtë etj. Nuk vendosi ky fjalor që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë, sikundër që nuk do të vendosë nëse Kosova do të mbetet e tërë, apo do të ndahet sipas ideve “kombëtare” të rrënuesve të integritetit të saj. Atributet e këtilla “antikombëtare” për Fjalorin janë alibi për të mos u përballur me asnjë argument. Më anë tjetër, Fjalori Enciklopedik Shqiptar nuk i plotëson as kriteret minimale për të qenë edhe “i Kosovës”, pra mbarëshqiptar, sepse në përfshirjen e zërave nga Kosova ka zbatuar kritere krejtësisht të paqëndrueshme dhe joprofesionale. Nga rreth 8,000 zëra sa ka Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vetëm rreth 10% i kushtohen Kosovës. Ja një shembull i trajtimit të pabarabartë të Kosovës: komunat janë njësitë më të vogla administrative që janë përfshirë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por komunat në Shqipëri dhe komunat në Kosovë nuk kanë asnjë mundësi krahasimi (komuna në Shqipëri është e barabartë me bashkësinë lokale në Kosovë). Megjithatë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk është bërë për t’iu kundërvënë as për ta mohuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por për ta plotësuar atë dhe për të qëndruar pranë tij.

 

Sido që të jetë, burrave pleq nuk u ka hije të sillën si kalamaj të portaleve dhe çipçinj të OJQ-ve.

 

*

 

Redaksia Qendrore e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës: Akademik Pajazit Nushi, akademik Ali Aliu, akademik Tahir Emra (akademik Zeqirja Ballata), akademik Rexhep Ismjali, akademik Eqrem Basha, akademik Fejzullah Krasniqi dhe akademik Mehmet Kraja.

 

Redaktorët e 24 redaksive të fushave: dr. Ruzhdi Pllana (gjeografia fizike), dr. Ibrahim Ramadani (gjeografia sociale), dr. Edi Shukriu (redaksia e arkeologjisë dhe e kohës së lashtë), dr. Jahja Drançolli (historia e mesjetës dhe e periudhës bizantine), dr. Gazmend Riza (periudha osmane dhe kultura orientale), akademik Jusuf Bajraktari (historia e shek. XIX), dr. Fehmi Rexhepi (historia e shek. XX), dr. Sylë Ukshini (lufta e viteve 1998-99), dr. Blerim Reka (fusha politike-juridike), dr. Muhamet Mustafa (ekonomia), dr. Hajrullah Koliqi (arsimi), dr. Isuf Dedushaj (mjekësia), dr. Bardh Rugova (albanologjia), akademik Latif Susuri (shkencat e natyrës), akademik Anton Berishaj (shkencat sociale), akademik Minir Dushi (shkencat teknike), akademik Sabri Hamiti (letërsia), akademik Zeqirja Ballata (muzika), akademik Tahir Emra (artet pamore), Fadil Hysaj (artete skenike dhe filmi), dr. Fejaz Drançolli (trashëgimia kulturore), dr. Ibrahim Berisha (informimi), dr. Qemal Morina (religjioni) dhe Xhavit Kajtazi (sporti).