Fjalë Kyçe

Ministria e Kulturës harron të ndaj këtë çmim

Ministria e Kulturës harron të ndaj këtë çmim

Ministria e Kulturës e Kosovës e ka harruar krejtësisht ndarjen e çmimit ndërkombëtar “Letërsia shqipe”. Në korrik të këtij viti, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i ishte përgjigjur gazetës me “po”, në pyetjen nëse do të ndahej ky çmim. Por ai nuk kishte dhënë kurrfarë afati. Të enjten ai fillimisht është arsyetuar për mosndarjen e Çmimit. Ka thënë se nuk është e paraparë që të ndahet çdo vit dhe se nuk ka marrë asnjë propozim nga Këshilli i librit. Ka insistuar goxha duke e përsëritur këtë arsyetim.

“Rregullorja nuk e parasheh që ministri ta shpallë vetë e as nuk parashihet çdo vit”, ka thënë ai. Shkaku i ndarjes së këtij çmimi ish-menaxhmenti i MKRS-së në krye me ish-ministrin, Kujtim Shala, kishte ndryshuar Rregulloren për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi. Aty përcaktohet qartë se Çmimi duhet të ndahet çdo vit.

Ministri Gashi shpejt ka ndërruar qëndrim pasi i është përmendur Rregullorja. Ka thënë se “Letërsia shqipe” do të ndahet për fundvit.

“Mund të konfirmoj se do të ndahet Çmimi. Tash po i shqyrtojmë emrat e mundshëm, por ceremonia do të organizohet në janar”, ka thënë ai.

Ministri Gashi asnjëherë gjatë vitit nuk është konsultuar me Këshillin e Librit sa i përket këtij çmimi që ishte themeluar me goxha pompozitet vitin e kaluar.

Historiania e shkrimtarja Sabile Keçmezi-Basha është kryetare e Këshillit të Librit në përbërjen e emëruar nga vetë ministri Gashi. Ajo ka thënë se mbledhja e fundit e Këshillit të Librit për këtë vit është mbajtur të hënën dhe çështja e Çmimit nuk ka qenë në rend të ditës në këtë mbledhje dhe në asnjë tjetër.

Meqenëse Çmimi parashihet me Rregullore, është obliguese ndarja e tij. Por Rregullorja nuk e përcakton kohën e përzgjedhjes së laureatit.

Ky çmim kishte sjellë vitin e kaluar në Kosovë Ismail Kadarenë, autorin veprat e të cilit janë përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës. Në ditën e gjashtë të prillit, kur edhe i ishte dorëzuar Çmimi në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Kadare kishte thënë se për të “Letërsia shqipe” “ka domethënie dhe kuptim më tepër se një çmim”.