Fjalë Kyçe

Britania e Madhe për herë të parë prodhon më shumë energji të ripërtërishme

Britania e Madhe për herë të parë prodhon më shumë energji të ripërtërishme

Kapaciteti i energjisë së ripërtëritshme është trefishuar në pesë vitet e fundit në Britani të Madhe. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të rënies së kapaciteteve të energjisë së bazuar në karburante për më të tepër se 30%.

Rezultati i këtij ndryshimi është aftësia e vendit për të prodhuar 41.9 gigavatë të energjisë elektrike nga era, energjia diellore, biomasa dhe hidroenergjia në periudhën korrik-shtator, në krahasim me 41.2 gigavatë të prodhuar nga thëngjilli, gazi natyror dhe karburantet tjera. “Sistemi i energjisë së Britanisë po lëviz ngadal, por sigurt drejt largimit nga varësia prej burimeve të paripërtëritshme të energjisë dhe kjo periudhë ka shënuar një përparim të dukshëm”, tha Dr Iain Staffell, i cili e udhëhoqi studimin.

Sidoqoftë, vlera e energjisë nga karburantet ishte ende më e madhe sesa energjia e fituar nga burimet e ripërtëritshme. Raporti mes dy llojeve ishte 40% për të parën, ndërsa 28% për të dytën. Në mesin e llojeve të reja të burimeve të energjisë, vendin kryesor e zë energjia e fituar nga fuqia e erës, me 20 gigavatë, e përcjellë nga energjia diellore dhe energjia e fituar nga biomasa.

Operatorët e thëngjillit, në anën tjetër, janë prekur nga taksa në burimet e karbonit si dhe nga konkurrenca e gazit natyror, por kanë përfituar nga rritja e çmimeve të gazit. Ky studim u krye nga kompania e thëngjillit, gazit dhe biomasës, “Drax”, e cila po ashtu deklaroi se kostoja për ndryshim të shfrytëzimit të burimeve të energjisë është rritur në 3.8 milionë funte në ditë mes korrikut dhe shtatorit, që paraqet nivelin më të lartë në dhjetë vitet e fundit, shkruan “The Guardian”