Fjalë Kyçe

Zgjedhjet në SHBA, Trump thotë se ka rrezik të blihen votat

Zgjedhjet në SHBA, Trump thotë se ka rrezik të blihen votat

Presidenti Trump lëshoi paralajmërimin për rrezikun e blerjes së votave në zgjedhjet e së martës. Në një postim në Twitter, ai tha se organet e zbatimit të ligjit duhet të jenë shumë të kujdesshme lidhur me votimet ilegale. Ai premtoi se secili që kapet duke votuar në mënyrë të palejuar do t’i nënshtrohet dënimeve maksimale.

Ndonëse nuk kishte prova për atë që deklaroi, presidenti aktual tha se blerja e votave është diçka tashmë e zakonshme, përderisa po shkonte në një tubim në Cleveland. “Vetëm hidhjani një sy. Krejt çka duhet të bëni është të shkoni dhe të shikoni. Ka shumë njerëz të tillë që mundohen të futen brenda në mënyrë të parregullt dhe të votojnë ë në mënyrë të parregullt. Prandaj, ne dëshirojmë që ata ta dinë se do të ketë ndjekje ligjore të niveleve më të larta”, tha ai.

Në përgjithësi, nuk ekzistojnë prova për përhapje të blerjes së votave në Shtetet e Bashkuara. Trumpi formoi një komision për ta analizuar këtë çështje pak kohë pasi kishte ardhur në pushtet. Mbrojtësit e të drejtave të votuesve i vlerësuan deklaratat e Trumpit si përpjekje të qëllimshme për t’i frikësuar votuesit një natë para zgjedhjeve dhe si një përpjekje për të bërë trysni ndaj votuesve me ngjyrë, të cilët zakonisht e votojnë më tepër Partinë Demokratike. Në përpjekje për t’i mënjanuar problemet e mundshme në vendvotime, partitë politike, grupet e interesit dhe organizatat për të drejtat e votuesve kanë organizuar monitorim të vazhdueshëm të zgjedhjeve, duke ftuar mijëra avokatë vullnetarë që ta përcjellin për së afërmi këtë proces.

Në anën tjetër, Departamenti i Drejtësisë pritet që ta ndjekë protokollin e zakonshëm të dërgimit të monitoruesve në tërë vendin, me qëllim të parandalimit të trysnive ndaj votuesve, mashtrimeve dhe diskriminimit. Një aspekt tjetër të cilit do t’i kushtohet shumë rëndësi është ndërhyrja e mundshme nga jashtë, sidomos nga Rusia, prandaj është kërkuar kujdes i shtuar edhe nga zyrtarët e sigurisë, shkruan “The Washington Post”, transmeton Gazeta Express.