Fjalë Kyçe

Avancimi i dyshimtë i vëllait të Presidentit në Byron e Sigurimeve

Avancimi i dyshimtë i vëllait të Presidentit në Byron e Sigurimeve

Vëllai i Presidentit, Gani Thaçi ka punuar vite të tëra në industrinë e sigurimeve pa aprovim paraprak të Bankës Qendrore të Kosovës, siç e kërkon Ligji. Vetëm në vitin 2017 Thaçit i ishte aprovuar pozita e “Koordinatorit për Planifikime Strategjike”, pasi kishte kryer edhe studimet e magjistraturës.

Përleshja fizike mes Gani Thaçit dhe drejtorit të Byros Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkollit, ndërlidhet direkt me pozitën e Thaçit në Byro.

ORAinfo merr vesh se në statutin e ri të Byros nga shumica e drejtorëve të kompanive të sigurimeve po kërkohet që pozita e Thaçit të mos konsiderohet si organ i Byros. Kjo ka nxitur edhe reagimin e këtij të fundit që eskaloi me përleshje fizike.

Por arritja e Thaçit deri tek kjo pozitë, përkatësisht si “Koordinator për Planifikime Strategjike”, ka një historiat prapa.

Me izën e Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, në fund të vitit 2017, ishte avancuar në pozitë në mënyrë të dyshimtë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Aso kohe Thaçi në Byro ishte emëruar Koordinator i Përgjithshëm për Planifikime Strategjike.

Si njëri nga personat më me ndikim në tregun e sigurimeve në Kosovë, siç njihet vëllai i Presidentit, në Byronë e Sigurimeve ka mbajtur disa pozita. Fillimisht si drejtor i një drejtorie, kurse më vonë si ushtrues detyre i drejtorit për të cilat asnjëherë nuk kishte marrë aprovimin e BQK-së.

Thaçi, i cili studimet e magjistraturës i kishte kryer vetëm në vitin 2014, aprovimin nga BQK e morri në fund të vitit 2017, në pozitën që e mban edhe sot.

Në bazë të Rregullore së BQK-së Për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit, pozita e re e Thaçit në Byro konsiderohet si “pozitë e lartë” të cilën Banka Qendrore e Kosovës e miraton sikur të gjitha pozitat tjera të larta në këtë institucion.

Zgjedhjen e tij në këtë pozitë nga Byroja, BQK-ja aso kohe e pati konsideruar se është bërë në bazë të kritereve që kërkohen me rregulloret në fuqi të BQK-së.

“Në lidhje me çështjen e ngritur dhe qe lidhet me z. Gani Thaçi, ju konfirmojmë se i njëjti është miratuar nga BQK-je ne pozitën e Koordinatorit të Përgjithshëm për Planifikime Strategjike në Byronë Kosovare të Sigurimit, pasi i njëjti i ka përmbushur kriteret (përshirë kriterin për kualifikim dhe përvojë) që kërkohen me Rregulloren për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Rregulloren për Licencimin e Kompanive të Sigurimeve dhe Degëve të Kompanive të Huaja te Sigurimeve”, patën sqaruar nga BQK.

Thaçi diplomohet në vitin 2014 në kolegjin “Globus”

Nga BQK patën thënë se Thaçi i ka plotësuar kriteret profesionale dhe të përvojës për emërimin në këtë pozitë.

Megjithatë sa i përket kualifikimit profesional, diploma e Thaçit nuk është në sigurime, por në fushën e menaxhmentit, ani pse në rregulloren e BQK-së nuk specifikohen kriteret në mënyrë specifike.

Në rregullore e BQK-së vetëm thuhet se para aprovimit në një pozitë në Byro ky institucion duhet ti sjellë “biografitë e të gjithë personave të propozuar”.

Thaçi i ka të kryera studimet e nivelit master në vitin 2014 në kolegjin “Globus”.

“Ju informoj se kandidati Gani THAÇI është regjistruar në vitin akademik 2011/2012 në nivelin e studimeve Master, përkatësisht në programin Menaxhment Gjeneral Internacional. Studimet kandidati i ka përfunduar në vitin akademik 2013/2014, saktësisht me dt. 18.07.2014. Ndërsa studimet Bachelor i ka të përfunduara ne institucion tjetër”, thuhej në një përgjigje për media të këtij kolegji me 2017.

Thaçi punoi në Byro vite të tëra pa aprovim të BQK-së

Thaçi punoi në Byronë Kosovare të Sigurimeve vite të tëra pa aprovim nga Banka Qendrore, siç kërkohet me rregulloret në fuqi.

Thaçi kishte ushtruar pozita të ndryshme si drejtor i një drejtorie, pastaj ushtrues detyre i drejtorit, ndërsa më vonë edhe si zëvendësdrejtor.

Në të gjitha këto pozita Thaçi kishte lëvizur pa një aprovim paraprak të BQK-së, e cila me rregulloren në fuqi, është e obliguar që për të gjitha pozitat në Byro, duke filluar nga juristët e deri të drejtori, të aprovojë secilin kandidat.

Sipas Rregullores së BQK-së për Mbikëqyrje të Byros, përkatësisht nenin 14, për të gjithë të punësuarit në Byro, duhet të bëhet kërkesë në BQK me një mori dokumentesh. Përfshirë këtu biografinë e personit të propozuar, për të kaluarën e personit nëse ka dosje penale, deklarata për konfliktin e interesave dhe deklarata për konfidencialitet.

“BQK pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të kërkuar nga paragrafi 1 i këtij neni, do të nxjerrë vendim për aprovim apo refuzim të personave të propozuar për pozita të rëndësishme në Byro brenda 30 ditëve nga pranimi i kërkesës”, thuhet në rregulloren e BQK-së.

Por në rastin e Gani Thaçit, kjo asnjëherë nuk kishte ndodhur, deri tani kur ai është aprovuar në pozitën e koordinatorit.