Fjalë Kyçe

Çmimi i energjisë elektrike përcakton çmimin e ngrohjes qendrore

Çmimi i energjisë elektrike përcakton çmimin e ngrohjes qendrore

Marrëveshja për Furnizim me Ngrohje në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës është ripërtërirë deri më 15 tetor të vitit 2022.

Gjatë mbledhjes së tetë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është miratuar amandamentimi i marrëveshjes që është nënshkruar mes KEK-ut dhe Termokosit në vitin 2014.

Dy pikat kryesore të cilat janë amandamentuar janë zgjatja e afatit të marrëveshjes dhe çmimi i energjisë termike.

Afati fillestar i kësaj marrëveshje ka qenë 3 vjet dhe tash pas afatit fillestar kjo marrëveshje do të ripërtërihet çdo pesë vjet.

Në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2014, tarifat për ngrohje i janë referuar çmimit të energjisë elektrike.

Çmimi i energjisë termike llogaritet duke iu referuar çmimit energjisë elektrike.

Atëkohë KEK-u nuk ka qenë i derregulluar por ka qenë i rregulluar prej ZRrE-së dhe tarifa e gjenerimit të energjisë elektrike për KEK-un është përcaktuar nga ZRrE-ja.

Ajo marrëveshje i ka pasur dy komponentë, komponenten për kapacitet dhe për sasi të energjisë.

Me liberalizim të tregut KEK-ut nuk i rregullohet më çmimi prej ZRrE-së kështu që çmimi i referohet çmimit të cilin tash e merr Furnizuesi i Shërbimit Universal (FShU – KESCO).

Ky çmim ndryshon sa herë që ndryshon çmimi i marrëveshjes së KEK-ut me FShU-në.

Për të prodhuar 6.56 njësi të energjisë termike humbet 1 megavat orë elektrike.

Gjatë mbledhjes së sotme të Bordit të ZRrE-së është vendosur që të mos ndryshohen tarifat e energjisë elektrike për amvisëritë dhe të ketë zbritje prej 5 për qind të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët industrial, komercial dhe të ndriçimit publik.

Gjithashtu në këtë mbledhje Bordi ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullave të Tregut, amendamentimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut dhe ka shqyrtuar një numër të ankesave të konsumatorëve si dhe çështje të tjera të menaxhimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.