Fjalë Kyçe

Haradinaj: Kosova mirëpret investimet Frankofone

Haradinaj: Kosova mirëpret investimet Frankofone

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Forumin Frankofon të Investimeve organizuar nga Klubi Afarist Frankofon në Kosovë (KOCAF), në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri.

Kryeministri Haradinaj duke i falënderuar organizatorët për këtë Forum tha se afaristët e respektuar janë më meritorët që na bënë bashkë sot në këtë ngjarje, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe klimën e mirë të investimeve në Kosovë, për të cilat tha se janë politika të favorshme të dedikuara investimeve dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Më tej kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe politikat tatimore dhe lehtësirat për fillimin e një ndërmarrje të re në Kosovë, po ashtu edhe infrastrukturën e mirë  për biznese.

Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar pozitën e volitshme gjeografike të Kosovës, duke thënë se nëse dëshiron të kesh biznes, janë dy orë nga të gjitha qendrat në rajon, që është një përparësi ndaj ekonomive edhe të vendeve të rajonit.

Kryeministri Haradinaj potencoi se Kosova është e hapur për investime të huaja, duke marrë si shembull të mirë, model të zhvillimit të biznesit dhe dëshmi të suksesit, kompanitë franceze që veprojnë në Kosovë, duke inkurajuar investitorët edhe për faktin se tani sistemi gjyqësor në Kosovë është përmirësuar, është forcuar rendi dhe ligji, e po ashtu vendi ka fuqi punëtore të kualifikuar dhe të gatshme për tregun e punës.

Duke folur për liberalizimin e vizave, kryeministri Haradinaj theksoi vështirësitë që kanë qytetarët dhe ndërmarrësit për zhvillimin e partneritetit me ekonomitë franceze, vendet frankofone dhe ato të Evropës derisa ekziston regjimi i vizave.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, tha se Kosova tash e 10 vjet ka arritur të krijojë një kornizë të përshtatshme për investime, me një sistem fiskal që është efikas dhe tërheqës për ndërmarrje, me fuqi të re punëtore, 50 % e popullsisë është më e re se 30 vjet, dhe kjo tregon për një frymë të fortë sipërmarrëse. Sipas ambasadorit Chabert, ky forum tregon se ka investitorë seriozë që janë të interesuar për Kosovën.

Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ai i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, vlerësuan ambientin e mirë të të bërit biznes dhe lehtësirat fiskale që janë në favor të zhvillimit të sektorit privat në Kosovë, duke ju bërë thirrje investitorëve nga vendet Frankofone që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë.