Fjalë Kyçe

Haradinaj: Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e të gjithë prodhuesve vendorë

Haradinaj: Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e të gjithë prodhuesve vendorë

Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e të gjithë prodhuesve vendorë përmes stimulimit dhe masave lehtësuese, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të bizneseve që merren me veprimtarinë  e miellit.

Kështu është deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin me përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i saj Bashkim Zejnullahu, me të cilët bisedoi për situatën më të fundit në këtë sektor, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është njoftuar nga përfaqësuesit e shoqatës për punën dhe sfidat pas vendosjes së taksës 100 për qind si dhe për hapat e ndërmarrë nga ta në rritjen e cilësisë së miellit.

Nga ana e tij, kryetari i shoqatës Bashkim Zejnullahu, tha se vendimi për vendosjen e masës 100 për qind për miellin nga Serbia është i mirëseardhur, duke vlerësuar se kjo masë në planin afatgjatë do të ndikojë pozitivisht tek kultivuesit dhe prodhuesit vendorë.

Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Gashi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci./Gazeta Alo/