Fjalë Kyçe

Institucionet shpenzuan mbi 15 milionë euro për vetura luksoze

Institucionet shpenzuan mbi 15 milionë euro për vetura luksoze

Miliona euro para të taksapaguesve kosovarë edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për blerjen e veturave dhe të xhipave luksozë për nevoja të institucioneve qendrore dhe të atyre lokale në vend. Vetëm gjatë 12 muajve të fundit, respektivisht nga fundi i tetorit të vitit që lamë pas, Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion ky i cili organizon prokurime të centralizuara në emër të të gjithë institucioneve që marrin para nga buxheti i shtetit, ka nënshkruar kontrata në vlerë prej më shumë se 10.4 milionë eurosh për marrje me qira të rreth 500 automjeteve gjatë 60 muajve të ardhshëm. Mirëpo numri i kërkesave për vetura me qira është duke u rritur nga dita në ditë.

Burime të gazetës “Zëri” brenda AQP-së bëjnë të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës ka kërkuar që numrin e automjeteve ta rritë për 30 për qind. Po ashtu numër shtesë të automjeteve të reja ka kërkuar edhe Ministria e Infrastrukturës. Edhe Ministria e Tregtisë përveç automjeteve që ka marrë deri më tash ka kërkuar edhe 8 tjera shtesë për nevoja të stafit të MTI-së.

Edhe zyra e kryeministrit të Kosovës, sipas të dhënave që ka siguruar gazeta, shihet se përpos veturave që ka marrë me qira deri më tash kanë kërkuar edhe 2 xhipa luksozë shtesë. Tetë xhipa po ashtu nga Agjencia Qendrore e Prokurimit i ka kërkuar edhe koordinatori Rexhep Hoti. Po ashtu në numër më të vogël automjete me qira kanë kërkuar edhe shumë institucione qendrore, lokale, por edhe ato të pavarura që operojnë ne vendin tonë.