Fjalë Kyçe

KEDS-i, thotë se prishja ndodhi në asetet e “Termokosit”

KEDS-i, thotë se prishja ndodhi në asetet e “Termokosit”

KEDS-i ka reaguar për ndërprerjet e rrymës të hënën në Prishtinë dhe për problemet që janë shkaktuar lidhur me furnizimin me ngrohje për kryeqytetasit.

Pasi “Termokosi” ia la fajin KEDS-it, duke thënë se nuk kishte paralajmëruar se do të ketë shkyçje të energjisë elektrike dhe se si pasojë e ndërprerjeve është dëmtuar sistemi i furnizimit me ngrohje, KEDS-i ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndërprerje nga ana e saj, por për prishje në asetet e “Termokosit”.

Në një njoftim për media, KEDS thotë se kjo s’është hera e parë që paraqiten prishje në kabllot e “Termokosit”.

“KEDS njofton se sot pas mesnate, konkretisht rreth orës 00:40 ka ndodhur një prishje në asete e Termokosit. Konkretisht, prishja ka ndodhur në ndërperësin dhe kabllot që e furnizojnë këtë ndërmarrje, që të dyja në pronësi të kësaj ndërmarrjeje.

“Kjo ka bërë që tërë nënstacioni një kohë të shkurtër të jetë pa energji elektrike. Pra, nuk bëhet fjalë për asnjë ndërprerje nga ana e KEDS-it, por për prishje në asetet e një ndërmarrje tjetë”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Në reagimin e KEDS-it thuhet se ata menjëherë e kanë njoftuar Termokosin dhe konsumatorët e tjerë se çka ka ndodhur.

“Duke e ditur ndjeshmërinë, KEDS-i ka dalë menjëherë në ndihmë kësaj ndërmarrje dhe ka dërguar ekipet për të sanuar prishjen”.

“Ekipet tona kanë arritur ta rikthejnë energjinë për Termokosin rreth orës 5:00 të mëngjesit. Por, linja prapë  ka filluar të shkaktojë probleme dhe KEDS është dashur të intervenojë sërish pak para orës 13:00 deri në ora 14:00, kur janë zëvendësuar pajisjet e dëmtuara”.

“Kjo nuk është hera e parë që po paraqiten prishje në kabllot e Termokosit. Aty kanë dy linja 10 kV (kilovolt) që e furnizojnë këtë ndërmarrje, pra 6 kabllo. Ato kabllo janë të dëmtuara nga vet punimet e Termokosit”, thuhet në njoftimin e KEDS-it. /Gazeta Alo/