Fjalë Kyçe

Lluka: Nuk ka rritje të pagave për minatorët e Trepçës

Lluka: Nuk ka rritje të pagave për minatorët e Trepçës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Vladrin Lluka ka zhvilluar një takim me minatorët e kombinatit “Trepça”, të cilët po vazhdojnë grevën.

Lluka u ka kërkuar minatorëve të ndërpresin grevën duke ua bërë me dije se nuk mund të ketë rritje të pagave, meqë ajo ka qenë një nga kërkesat kryesore që minatorët kanë parashtruar.

Sot është dita e pestë që minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” në Mitrovicë kanë hyrë në grevë të përgjithshme, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës, rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit mbikëqyrës të këtij kombinati dhe kërkesa të tjera.

Ministri Lluka ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se këto kërkesa nuk mund të realizohen. Ai ka thënë se rritja e pagave për 20 për qind është e pamundur për shkak të gjendjes së rëndë financiare në këtë kombinat. Sa i përket kërkesës për shkarkimin e Bordit, Lluka ka thënë se për këtë çështje vendos Qeveria.

Mosarritja e marrëveshjes ka rezultuar me vazhdim të grevës nga ana e minatorëve.