Fjalë Kyçe

Gjykata Kushtetuese nesër merr vendim nëse do të ketë rivotim në Prishtinë

Gjykata Kushtetuese nesër merr vendim nëse do të ketë rivotim në Prishtinë

Çështja e të parit të kryeqytetit duket se ende nuk është zgjidhur, të paktën sipas ish kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi. Ai beson se pretendimet e tij që ka pasur shkelje, do të aprovohen nga Gjykata Kushtetuese.

Abrashi në një prononcim për KosovaPress ka thënë se e gjithë kërkesa e tij drejtuar organit më të lartë në vend është e argumentuar mirë, këtë sipas tij e ka konfirmuar dhe Gjykata Supreme dhe disa nga opinionet e komisionit të Venecias.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese në një përgjigje me shkrim i ka thënë KosovaPress-it se kërkesa e ish-kandidatit për kryetar të Prishtinës, është në fazën përfundimtare të shqyrtimit. Përkundër kësaj, burime të KosovaPress kanë bërë të ditur se vendimi për këtë kërkesë pritët të vendoset nesër. Për  ish-kandidatin për kryetar të Prishtinës, zvarritja e madhe që ka ndodhur tek ky rast të len me dyshuar se mund të ketë ndikime politike. Sipas tij, rasti ka qenë shumë i thjesht dhe i lehtë për t’u zgjidhur. Në rast të refuzimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, ish kandidati për kryetar të kryeqytetit  nuk e mohon dërgimin e saj dhe tek gjykata në Strasburg.

Ndërsa, nga organizata joqeveritare, “Çohu”, Artan Demhasaj  është shprehur se ankesat dhe mund të jenë të bazuara, mirëpo duhet të shikohet se sa ato kanë ndikuar në procesin zgjedhor.

Demhasaj konsideron se kjo çështje duhet të ketë një epilog, të mbyllet dhe mos të mbetet pezull. Nga komuna e Prishtinës, zëdhënësi Adonis Tahiri beson se Gjykata Kushtetuese do të marr vendim të drejtë.

Sipas tij, ish kandidati për kryetar të Prishtinë, Arban Abrashi ende nuk po e tejkalon humbjen që e ka pësuar në kryeqytet. Për këtë arsye, ai thotë se më nuk po i marrin seriozisht deklaratat e tij. Janë bërë mbi një vit që procesi për të parin e kryeqytetit ka përfunduar, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ,  Shpend Ahmeti ka fituar me disa qindra vota më shumë se kundër kandidati i tij nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi.