Fjalë Kyçe

Lahi Brahimaj konfirmon se kur do të intervistohet nga Gjykata Speciale

Lahi Brahimaj konfirmon se kur do të intervistohet nga Gjykata Speciale

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj ka konfirmuar se është ftuar për intervistim nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara pranë Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një lidhje telefonike për RTV Dukagjini, Lahi Brahimaj ka thënë se i është bërë ftesë për t’u intervistuar në Hagë, por pa i përcaktuar statusin.

“Pak rëndësi ka nëse do të jem i akuzuar apo dëshmitar. Edhe unë edhe zoti Haradinaj dhe krejt pjesa e UÇK-së ka bashkëpunuar me Tribunalin. Në kohën kur kam qenë deputet unë kam votuar kundër këtij Tribunali, sepse e kam konsideruar si të padrejtë ndaj Kosovës, pasi kjo është një gjykatë vetëm për shqiptarët”, tha ai.

Brahimaj ka thënë se do të respektojë votën e Parlamentit dhe do t’i përgjigjet ftesës së kësaj Gjykate.

“Si një luftëtar i mirë që jam, do të respektoj votën e Kuvendit dhe do të bashkëpunoj me këtë Tribunal edhe pse ky është në dëm të shqiptarëve. Megjithatë, do ta bëj krenar popullin tim, UÇK-në, bashkëluftëtarët e mi, ashtu si edhe si i kam bërë krenarë herëve tjera”, tha ai.

Ish-deputeti i AAK-së ka treguar më tej se është ftuar për intervistim në datat 1,2 dhe 3 mars.