Fjalë Kyçe

Maliqi: I kemi shkruar Presidentit që ta rishikojë nenin për RTK-në

Maliqi: I kemi shkruar Presidentit që ta rishikojë nenin për RTK-në

Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, ka thënë se përfshirja e transmetuesit publik në Ligjin për paga ka qenë e pakuptimtë.

“Si RTK në leximin e parë s’kemi qenë pjesë e ligjit për paga dhe s’kemi ditë as çfarë po ndodh. Në rrugë jozyrtare jemi njoftuar se RTK do të futet në ligjin për paga në koeficientin nga 1 deri në 7. Me marrjen e këtij informacioni kemi reaguar përmes publikut dhe ju kemi drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe Kryetari të Komisionit për Administratë Publike dhe Media se pse RTK duhet të jetë pjesë e këtij ligji”, ka thënë Maliqi, njofton Klan Kosova.

Për këtë çështje ajo ka thënë se sot ju kanë drejtuar Presidentit Hashim Thaçi.

“Ne sot bashkë me ushtruesin e detyrës kemi dërguar një letër Presidentit të Kosovës, që nëse ka shkelje të shihet. I kemi kërkuar që ta rishikojë këtë nen dhe ta heq këtë dispozitë. Fillimisht duhet parë se si po reagon Presidenti, nëse dekretohet, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”.

Maliqi ka thënë se kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike dhe Media, Nait Hasani e ka arsyetuar futjen e RTK në Ligjin për paga.

“Shpjegimi i tij ka qenë që meqenëse RTK buxhetin e ka nga shteti, çdo institucion që merr buxhet nga shteti duhet të jetë në ligjin për paga”.