Fjalë Kyçe

PDK merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

PDK merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

Kryesia e Kuvendit e ka caktuar për datën 16 nëntor, seancën e jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, me kërkesë të 42 deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit, pas mbledhjes së Kryesisë tha se nuk arritën ta bindin opozitën që seanca të shtyhet.

“Do të ketë seancë me 16 nëntor ashtu siç ka kërkuar opozita. Pas disa debateve nuk arritëm të kishim konsensus, pasi ishte një kërkesë që kjo seancë të shtyhet pas situatës shumë sensitive të cilën e kemi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL”, tha kryeparlamentari Veseli.

Megjithatë, shumica e grupeve parlamentare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë seancë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha për KALLXO.com se unifikimi arrihet vetëm me komunikim të ndershëm, të hapur, me respekt ndaj mendimit ndryshe dhe kundërshtarit politik.

“Unifikimi arrihet me pranim të përgjegjësisë që secili kemi në kapacitetet dhe përgjegjësitë institucionale që kemi. Ne po punojmë të unifikojmë skenën politike për të ndryshuar këtë lloj të qeverisjes. Kosovës i duhen politikanë që punojnë për qytetarët pa përjashtim. Kosovës i duhet qeverisje që punon për 20 vitet ardhshme, jo politikanë që nuk shohin përtej zgjedhjeve të ardhshme dhe që çdo veprim të tyre e shohin vetëm përmes numrit të votave që ju sjell në zgjedhjet e ardhshme”, tha Hoti.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu deklaroi  se nuk ka asnjë arsye për të mos marr pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

“Në qoftë se ata nuk janë pjesë e një debati apo e një seance të jashtëzakonshme të tillë, domethënë është dëshmi që atyre nuk është që ju intereson ose nuk brengosen karshi veprimeve të papërgjegjshme në politikën e jashtme dhe si pasojë Kosova ka pësuar shumë për faktin se nuk kemi persona që kanë integritet, kredibilitet dhe nuk ka një strategji në politikën e Jashtme”, tha Haxhiu duke shtuar se pret që të gjithë deputetët t’i bashkohen seancës.

“Kësaj i shtohet fakti se po shihet fushata e egër momentale e Serbisë për ta penguar Kosovën në anëtarësimin në organizata të ndryshme përfshirë këtu edhe INTERPOL-in. Prandaj besoj që Kuvendi i Kosovës do të duhet të diskutonte për këtë”, theksoi ajo.

Ndërsa, Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, deklaroi se deputetët e partive në koalicionin qeverisës, do të marrin pjesë në seancë.

“Ne do te marrim pjesë në seancën e paralajmëruar, edhe pse mendojmë se seanca është dashur që të mbahet së paku pas vendimit që pritet të merret pas disa ditësh për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur për KALLXO.com se ky subjekt nuk është përfshirë në kërkesën për seancë të jashtëzakonshme dhe se ende nuk kanë marrë vendim për pjesëmarrje në këtë seancë.

“Për momentin nuk e dimë, do ta bëjmë publike sapo ta marrim vendimin në kryesi, sepse zakonisht kështu veprojmë, pas mbledhjes së kryesisë vendosim edhe për pjesëmarrje në seanca”, tha zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.