Fjalë Kyçe

SBAShK’u nuk heq dorë nga greva në arsim

SBAShK’u nuk heq dorë nga greva në arsim

Edhe pas deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj se do të mundohen të plotësojnë kërkesat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, këta të fundit, paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga greva e paraparë të nis më datën 14 janar.

Kjo sipas tyre do të ndodhë derisa të ngritën për 30 për qind të gjithë koeficientet në arsim nga çerdhet e deri tek universitetet.

Në një intervistë për RTV21, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të filloj me 14 janar

“Ne i besojmë kryeministrit Haradinaj por nuk mjafton vetëm angazhimi  i tij pasi duhet të angazhohet të gjitha institucionet. Këshilli drejtues dje e bëri rrjedhën e grevës dhe është paraparë që në të gjitha institucionet arsimore, në çerdhe, arsimin fillor, të mesëm dhe universitet, greva çdo ditë të filloj në ora 9 dhe të mbyllet në ora 12”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë pas një pritje disa mujore pas debateve, dialogut i cili sipas tij doli i pa suksesshëm.

Jasharaj ka shtuar se kërkesë e SHBASHK’ut është që të gjithë koeficientet, nga çerdhet arsimi fillor i mesëm dhe në universitet,  sidomos te administrata e universitetit të ngritën për 30 %.

Këshilli i prindërve të nxënësve ka kundërshtuar grevën e paralajmëruar në arsim me arsyetimin se me grevë të mësimdhënësve po pësojnë nxënësit.