Fjalë Kyçe

Vëllai i Donjeta Pajazitajt për drejtësinë: Na mbytën duke bërë hajgare me ne

Vëllai i Donjeta Pajazitajt për drejtësinë: Na mbytën duke bërë hajgare me ne

Sot tri vjet vajza e familjes Pajazitaj nga Strellci i Deçanit, Donjeta, u zhduk në mënyrë misterioze rrugës për të shkuar në punë. Për rreth gjashtë javë familjarët nuk ishin në dijeni për vendndodhjen e saj, derisa u gjet e vdekur në bjeshkët e fshatit. Familjarëve ende nuk u janë qetësuar zemrat, sepse rasti i saj nuk është përmbyllur në aspektin gjyqësor. Apeli e ktheu lëndën e Donjetës, në tetor të këtij viti, në pikën zero.

Për vrasjen e Donjetës, fillimisht ishte akuzuar kushëriri i saj, Naser Pajazitaj. Por, në procesin ndaj tij, ai ishte shpallur i pafajshëm për këtë vrasje, u dënua për armëmbajtje pa leje.

Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjetës, sot njoftoi se që nga viti 2015 familja e tyre po jetojnë me mungesën e saj. Ai rrëfen, për Gazetën Express, zbrazëtinë e madhe që mungesa e Donjetës e la në shtëpinë e tyre. Thotë se është i dëshpëruar me procesin e gjatë gjyqësor, por shpreson se në të ardhmen drejtësia do ta zbardhë vrasjen e së motrës.

Shkëlqimi tregon se Donjeta ëndërronte t’i përfundonte studimet dhe të punësohet në një vend të mirë pune.

“Po si çdo femi u kan studente në fakultet donte me kry shkollimin me gjet një vend të mië pune, një jetë të thjeshtë. Na mungon”, thotë Shkëlqimi.

Shkëlqimi thotë se familja ka pasur raporte shumë të mira me Donjetën dhe i gjithë fshati e ka përshkruar si vajzë të urtë dhe të ndershme.

“Çikë e urtë e ngushme si për ne si për familjarët, si per krejt. Çdo kond, në  2 Strellcet kur kan pyt policia qato 6 javë sa ka qenë e zhdukur njërëzit kanë thënë që ka qenë cikë e ndershme”, rrëfen Shkëlqimi në tre vjetorin e vdekjes së saj.

Tri vjet nëpër procese gjyqësore, Shkëlqimi i përshkruan të vështira. Shpresonte se seanca gjyqësore e muajit mars do të zbardhte më shumë për vrasjen e saj, por gjatë asaj seance i akuzuari kryesor për vrasjen e Donjetës, kushëriri i saj, Naseri, u shpall i pafajshëm për këtë vrasje.

“Po shum fshtir osht dyqysh drejtesia mos me mar vendim kur ka pas fakte te mjaftueshme na bile kena shpresu se ka zbulu edhe dicka ma teper. Se ai si u kan i akuzuar (flet për Naserin) ai nuk ka mujt me kry ket pun vet se u kan ne gjendje te keqe kshtu shendetsore u kan me asi kruta si i ndihmojn me ec… U humbkrejt shpresa për drejtesi edhe pse qitash me 19 nëntor e kena apet qat far rigjykimin po shpres s’ka hiç veq, hajt qashtu na myten tu na zezat”, thotë Shkëlqimi.

Shkëlqimi mendon se do të ndiheshin pak më mirë po ta dinin se kush e vrau Donjetën, shprehet i dëshpëruar me sistemin e drejtësisë në vend.

“Po i grahin qysh po dojn ata…po pak ishim ni ma mir bile me dit kush e pse e boni ketë punë. Ishalla drejtesia e zbulon edhe e denon”, tha ai.

Përveç kushëririt të tyre Naserit, që akuzohej se vrau Donjeten, Shkëlqimi dyshon se në këtë vrasje ka edhe persona tjerë të implikuar.

“Po mendojna se ka edhe tjer se aj vet ska mujt me kry. Qysh thash e vertet asht se ajo u hyp ne ker te ti per me dal deri te autobusi me shku per pun se e kena 2km lerg me ec ne kom…Donjeta nuk u kone e  lidhne ose ish dal prej kerit ose kish bertit e kish pa dikush se oar 13:40 o kon pika dites po osht edhe dikush i implikum ne ket pun e qata kan mujt me mar se veq vet me ka kon ajo skish mujt me kry”, vazhdon rrëfimi i Shkëlqimit.

Rasti i Donjeta Pajazitajt cilësohet si vrasja më makabre e ndodhur viteve të fundit në Kosovë. Në drejtim të saj ishin shkrepur dy plumba. Vetë i akuzuari kishe deklaruar se nuk ndihet përgjegjës për vrasjen e kushërirës se tij dhe ndjen keqardhje për këtë rast.

Gjykata Themelore e Pejës e kishte shpallur Naser Pajazitin të pafajshëm për akuzat se vrau kushërirën e tij 24-vjeçare, Donjeta Pajazitin, por e shpalli fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje. Për këtë vepër penale, gjykata ia dha 2 vjet e katër muaj burgim unik.

Në ditën e gjykimit kur Naseri u shpall i pafajshëm për vrasjen, u arrestua Shkëlqim Pajazitaj pasi e kishte thyer një derë në këtë gjykatë në shenjë revolte për vendimin e trupit gjykues

Krimi i rëndë ka ndodhur në nëntor të vitit 2015, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur gati dy muaj pas vrasjes, diku në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit.

Ky rast më pas është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë e gjyqësisë. Për vendimin lirues të shkallës së parë, ka pasur edhe protesta nga ana e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Shkëlqimi, tha se seanca për Donjetën do të mbahet pas disa ditësh, saktësisht më 19 nëntor.