Fjalë Kyçe

Amaneti nga varri

Amaneti nga varri

Po thonë se janari nisi me ditë të ftohta dhe me acar të madh. E paska mbuluar edhe dëbora. Nuk e di, s’po arrij ta shoh, jam këtu, pak nën koren e tokës prej ku e mbillni dhe e korrni drithin. Sa ngrohtë që është këtu.

Vërtet dheu i Kosovës qenka i lehtë, i dashur dhe ledhatues për ata që e deshën atë.

Më falni që po ju drejtohem kështu, veshur me pëlhurë të bardhë. Nuk kam rroba tjera. Kaq mora më vete!

Lufta që bëra nuk më solli kostume të shtrenjta dhe kravatë. S’ka dert, nuk e kam shumë ftohtë, e gjej ngrohtësinë në dheun e atdheut! E di që këtë ndjenjë s’e kuptoni dhe as që do ta përjetoni.

Jam këtu te kroi, bashkë me shokët e idealit, po pimë ujë të freskët përjetësie. Sa rehat që jemi!

Mos keni frikë nga ditët e ftohta të janarit, sepse gjaku ynë do ta shkrijë dëborën, që ju të ecni qetë, pa i zhytur këpucët.

Kur të vijë “Flaka e Janarit”, pavarësia e Republikës, “Epopeja e UÇK-së” dhe përvjetorë të tjerë, vraponi të dukeni bukur, me fjalime rrëqethëse dhe plot emocion. Prishni fytyrat si bindje para familjeve tona se gjoja ndieni dhembje për neve.

Amanet nga varri: mos më përmendni mua në podium për gradat tuaja. Mos ma vizitoni varrin, sepse nuk i duroj dot maskat.

Gjithmonë e kam urryer makijazhin, frikohesha se mos po dukem ndryshe. Të sinqertët më vizitojnë çdoherë dhe jo vetëm në përvjetorë.

Pse nuk gjetët kohë ta vizitoni kasollen time në fshat, e ndërtuar prej dërrasash, është aty ngjitur për stallës! Shkoni, shkoni, aty e gjeni gruan dhe tre fëmijët e mi. Nëse nuk dinë të shprehen, i falni, sepse nuk patën mundësi të shkollohen.

Nëse shkoni, ngaluni për drekë në kasolle – sofra do të jetë përplot me ushqime: bukë, bukë… dhe bukë! Aha, ndoshta ju hani sallata dhe erën e bukës rrallë e shijoni! Megjithatë, provojeni pak bukë sofre, ndoshta do t’jua kujtojë nënat tuaja që kushedi sa kohë nuk i keni parë! E kuptoj, jeni të zënë me punët e (pu)shtetit.

Nëse s’arrini të ngjiteni te kasollja, nuk është telashe, familja del deri te livadhi ku me latë të plagosur. Do t’ju duartrokasin. E meritoni, sigurisht!

Mos harroni, publikoni fotografitë që kemi dalë bashkë në luftë – ato do të jenë shumë bindëse për ndërtimin e rremë të personaliteteve tuaja.

Na lini të qetë – kurrizët tanë nuk durojnë më shumë. Mjaft ecët mbi ta!

Ju flas nga varri, unë dëshmori i vrarë dy herë!