Fjalë Kyçe

Votimi i Ushtrisë së Kosovës nuk është një akt lufte, por një zotim për paqe

Votimi i Ushtrisë së Kosovës nuk është një akt lufte, por një zotim për paqe

Themelimi i ushtrisë së Kosovës është një moment i ri në historinë e Kosovës. Akti i sotëm i votimit të ligjit për transformimin e FSK-së u përjetu nga qytetarët si një shpallje e dytë e pavarësisë së Kosovës. Me këtë akt Kosova po e sendërton shtetësinë e saj. Pala tjetër, pra Serbia, është përpjekur që ta kontestojë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, siç po vazhdon të bëjë edhe me fushatën për tërheqjen e njohjeve apo fushatën kur anëtarësimit të shtetit tonë në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Por opinioni i GJND-së se aki i shpalljes së pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e kishte vulosur legjitimitetin e aktit të pavarësisë. Formimi i ushtrisë është një gur tjetër në kalanë e shtetndërtimit.

Në fakt themelet e kësaj ushtrie janë vënë në luftën çlirimtare të nisur nga burrat dhe gratë e guximshme të këtij vendi si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Xhevë e Fehmi Lladrovci. Rezistenca paqësore e shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar e pasuar me rezistencën e armatosur u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Prej përfundimit të luftës, këto forca kanë njohur disa transformime. Kështu menjëherë pas luftës kemi pasur demilitarizimin e plotë të UÇK-së. Njëlloj është vepruar edhe me institucionet e tjera të sigurisë në vend. Kështu na kujtohet kur patrullat e para të policisë së Kosovës ishin të paarmatosura, me një garderobë që ngjante më tepër në kompani sigurimesh fizike. Nga ana tjetër, UÇK do të tranformohet fillimisht në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Populli i Kosovës dëshiron të ndjehet krenar me forcën e saj mbrojtëse. Megjithatë, ndonjëherë nga zhgënjimi i kemi quajtur vetëm zjarrfikës, duke u nisur nga mungesa e armatimit adekuat, si dhe duke e injoruar një prej komponentëve të rëndësishëm të çdo ushtrie, atë të ndërhyrjes në raste krizash humanitare si përmbytjet, zjarret etj. Në fakt, për një ushtri është e rëndësishme ngritja e kapaciteteve profesionale. Këtë e ka bërë ushtria e Kosovës falë edhe bashkëpunimit me ushtri moderne si ajo e shtetit Ioëa të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë turke apo edhe shteteve të tjera mike.

Pra synimi i ushtrisë së Kosovës është që të shndërrohet në një ushtri modern që i kontribuon paqes në rajon dhe më gjerë. Serbia dëshiron ta proklamoj këtë iniciativë si rrezik për destabilitetin në rajon. Kjo ka bërë që edhe vendet e NATO-s të jenë hezituese dhe kanë kërkuar që ky transformim të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku kërkohet edhe pëlqimi i serbëve lokalë. Por si duket, ashtu si edhe gjatë luftës, apo me rastin e shaplljes së pavarësisë, vendimtar po del mbështetja e Uashingtonit.

Ne shpeshherë e shtrojmë dilemën se ‘a mund të shtyhemi me Serbinë’. Në të vërtet Serbia mund të jetë më e forte ushtarakisht se disa shtete të dala nga ish-Jugosllavia të marra së bashku, me përjashtim të Kroacisë, por kjo nuk do të thotë se ajo mund të vazhdojë politikën hegjemoniste të nxitur nga Sllobodan Millosheviqi apo të tjerë para tij. Prandaj Kosova duhet të fokusohet në misionin e saj si force moderne, aleate e ushtrive perëndimore. Kosovan në të ardhmen mund edhe të jape kontributin e saj në misione paqësore në botë. Sigurisht se kapacitetet njerëzore por edhe financiare të shtetit të Kosovës në këtë rast janë modeste, megjithatë do të ishte një simbolikë e mirë se si Kosova nga një vend që kërkon mbrojtje, tani ofron mbrojtje dhe sjell paqe për të tjerët.

Akti i votimit sot në Parlament është një mësim edhe për liderët lokalë serbë se nuk mund të mbajnë peng procese të rëndësishme në vend, por duhet ta shfrytëzojnë votën e tyre për prosperim të komunitetit të tyre dhe jo për t’u bërë digë e ujërave që nuk mund të ndalen. Prandaj do të ishte mirë që ata sa më shpejt ta ftonin komunitetin e tyre t’I bashkëngjitej ushtrisë së Kosovës.

Sa i përket elitës politike shqiptare, duhet ta zhvillojnë një entuziazëm të matur dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me të gjitha vendet e NATO-s. Sa i përket vetë ushtrisë, ne kemi mundur të bëjmë më shumë për këtë ushtri edhe më pare nëse do të investonim më shumë buxhet. Ne do të mund të blenim më shumë pajisje, të krijonim kushte më të mira për ushtarakët, t’i paguanim më shumë e kështu me radhë. Vetëm një shembull, ta zëmë aktualisht kemi komponentën reservë që janë disa qindar, të cilët paguhen vetëm në rastet e ftesave për ushtrime të caktuara kur bëhen dhe nuk paguhen rregullisht. Derisa shteti dhe Qeveria paguajnë poshtë e lartë dhe hedhin para pa hesap, tregohen dorështrënguar pikërisht te ata që cilësohen krenaria e vendit.

Por mbi të gjitha ne nuk mund të kemi një ushtri të forte nëse nuk kemi një shtet të fortë. Ne duhet ta ndalim korrupsionin dhe ta zhvillojmë shtetin, ta zhvillojmë ushtrinë. Ne sot mund të festojmë më tepër sesa duhet për inat të Serbisë, por gjërat nuk bëhen me inat, por ne duhet të punojmë gjatë për ta bërë një ushtri të vërtetë. Ky proces është paraparë të zgjasë 10 vjet, atëherë kur do të jetë në gjendje që ushtria e Kosovës të zëvendësojë KFOR-in në të gjitha operacionet në Kosovë. Për të pasur një ushtri të forte, duhet të kemi edhe një sistem arsimor të fortë në vend, duhet të kemi edhe një shëndetësi të fortë. Shteti ynë duhet të zhvillojë edhe mekanizma mbështetës. Ne shpesh e injorojmë, por shohim se edhe ushtritë e tjera të botës kontriubojnë në rastet e katastrofave humanitare. Ta zëmë e kemi pare ushtrinë shqiptare të ndërhyjë në rastet e përmbytjeve të shpeshta atje. Ndërsa këtu te ne pat ndodhur që FSK i ishte përgjigjur një rasti të përmbytjes në një komunë, por nuk kishte pasur kapacitete t’i përgjigjej një kërkese për ndihmë në një rajon tjetër në të njëjtën kohë. Pra përtej simbolikës, ne duhet të ndërtojmë kapacitete të mirëfillta në fusha të ndryshme.

Mbi të gjitha ne nuk duhet të lejojmë që të na ndodhë në ushtri ajo që po ndodh fatkeqësisht në institucionet e tjera në vendin tone, pranimi pa meritë i kuadrove të reja. FSK tani e sa kohë pranon kadetë të rinj, duke nxjerrë kështu kuadro të reja dhe të shkolluara. Por është mirë që në të ardhmen të avancohen ato kuadro që kanë dije, vullnet dhe guxim për t’i shërbyer sa më mire atdheut. Ne duhet t’i bëjmë ata të rinj e të reja që ta duan atë uniformë, të krenohen me flamurin në shpatullat e tyre.

Ushtria e Kosovës është forca jonë, zemra jonë. Sot ne të gjithë jemi për ushtrinë dhe me ushtrinë. Edhe një here të kujtojmë se Ademët, Zahirët e të tjerët u bashkuan në kohë të vështira për ta mbrojtur popullin e tyre, sot në kushte dhe rrethana të reja, djemtë dhe vajzat më të mira të këtij vendi janë garanca e paqes në shtetin e Kosovës.

Koment nga Gazeta Alo