Fjalë Kyçe

Jepen detaje se si “kirurgu” italian e mori diplomën false në Kosovë

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Pleurat Sejdiu, ia ka sqaruar Kolegjit të Mjekëve të Rumanisë, rastin e shtetasit italian Mateo Politi i cili u arrestua në Rumani pasi u kap me një diplomë false të kirurgut të cilën e kishte marr në Kosovë.

Sejdiu ka sqaruar kolegët e tij rumun se ky person e ka siguruar diplomën false nga Universiteti paralel i Prishtinës në veri të Kosovës, i cili udhëhiqet nga strukturat paralele me ndihmën e shtetit të Serbisë.

“Ky sistem paralel i institucioneve të përkrahura drejtpërdrejt nga Serbia, ka përfshirë edhe funksionimin e të ashtuquajturave institucioneve të arsimit të lartë. Në kuadrin e këtyre institucioneve paralele të arsimit të lartë është edhe Universiteti paralel i Prishtinës, i cili ende në ditë të sotit funksionon jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Ky institucion paralele, i cili fizikisht gjendet në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës, i zhvillon aktivitetet jashtë kurrikulave të miratuara nga Ministria e Arsimit”, thuhet në sqarim.

“Në këtë drejtim rasti i ‘kirurgut plastik’ nga Italia nuk është dokument valid dhe i cili mund të identifikohet me institucionet e Republikës së Kosovës. Ky rast nuk është edhe i vetmi që del në shesh nga ky ‘universitet’”, thuhet tutje në sqarimin e Sejdiut për Kolegjin e Mjekëve rumun.