Fjalë Kyçe

Mbyllet Këshillimorja e vetme për Fëmijë në Prishtinë

Mbyllet Këshillimorja e vetme për Fëmijë në Prishtinë

Këshillimorja për Fëmijë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë më 3 janar të vitit 2019 është mbyllur pa asnjë paralajmërim për stafin mjekësor, si dhe për pacientët.

Personeli shëndetësor në këtë qendër mjekësore ka thënë për “Zërin” se në atë këshillimore prindërit kanë sjellë foshnjat e tyre të porsalindura, ku i kanë ushqyer e po ashtu kanë marrë këshilla se si të kujdesen për ta.

Stafi mjekësor i pediatrisë, duke u shprehur i shqetësuar dhe i befasuar me një vendim të tillë, kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë informacion paraprak se Këshillimorja do të mbyllej.

Ata kanë thënë se vendimi për mbylljen e saj është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, andaj edhe kryeshefi i QKMF-së e kishte mbyllur atë pa asnjë paralajmërim paraprak për stafin mjekësor dhe pacientët.

Sipas tyre, këtë këshillimore e kanë vizituar në baza ditore 60 deri në 70 persona. Derisa, siç kanë thënë ata, ajo kishte qenë këshillimorja e vetme në Prishtinë. “Deri në 70 persona në ditë vijnë këtu i sjellin foshnjat e porsalindura, u japin të pinë dhe konsultohen me mjekët. Nga dita e enjte të gjithë familjarët që kanë sjellë foshnjat e tyre janë kthyer pasi që Këshillimorja nuk punon më. Ne jemi befasuar kur e kemi parë atë që është mbyllur”, i është thënë gazetës nga stafi mjekësor.

Personeli mjekësor i Pediatrisë në QKMF ka thënë për gazetën se tashmë ata persona të cilët kanë nevojë për këshillimore do të duhet që të maltretohen duke marrë udhëzime nga mjekët e pastaj shërbimet t’i marrin nga pediatër të caktuar.

Përndryshe, në hapësirën ku ishte Këshillimorja për Fëmijë tashmë është zhvendosur shefja e Shërbimit Pediatrik, Diamanta Raça-Loxha.

Në vend të Këshillimores është zyra e shefes Raça-Loxha.

Ndonëse nga QKMF është thënë se këtë vendim e ka marrë Ministria e Shëndetësisë, Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

Ajo ka thënë  se pyetjet duhet t’i drejtohen Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës.

E, këta të fundit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje gjatë ditës.