Fjalë Kyçe

QKUK-ja me mungesë të sallave të operimit

QKUK-ja me mungesë të sallave të operimit

Ndonëse në vit kryhen mijëra operacione, Klinika e Otorinolaringologjisë (ORL), e Kirurgjisë Torakale, si dhe Neurokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë vetëm nga një sallë operimi. Por përveç numrit të pamjaftueshëm të sallave të operimit, edhe numri i dhomave ku trajtohen pacientët vlerësohet se është i pamjaftueshëm.

Zyra për Informim në Shërbimin Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka thënë se për shkak të volumit të madh të punës nevojiten më shumë salla.

“ORL-ja kryen aktivitetet e saj me një sallë, që ka katër tavolina operative.  Kirurgjia Torakale ofron shërbime me një sallë të operacionit, derisa theksohet nevoja për hapjen edhe të një tjetre. Neurokirurgjia operon me një sallë, por për shkak të volumit të madh të punës është e pamjaftueshme dhe menaxhmenti po shikon mundësinë që të hapet edhe një e re”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre shkruan zëri.

Përveç këtyre klinikave ka edhe klinika të tjera, të cilat edhe pse me fluks të madh të pacientëve në baza ditore kanë vetëm dy salla operative.