Fjalë Kyçe

Befason Kloppi, e stërvit skuadrën gjatë natës

Befason Kloppi, e stërvit skuadrën gjatë natës

Liverpooli mund të jetë në krye të Premier Leagues, por ata nuk kanë aspak ndërmend të flenë mbi dafina. Jurgen Klopp e di se çfarë sakrificash duhet të bëjë skuadra e tij në kërkim të titullit të parë kampion pas 29 vite.

“Reds”-at renditen në krye të klasifikimit të tabelës me 57 pikë, +4 pikë nga vendi i dytë (Manchester City) pas 22 javësh. Pas humbjes së parë në ndeshjen kundër Cityt më 3 janar, ata u rikthyen te fitorja këtë fundjavë 1-0 kundër Brighton.

Ndeshja e tyre e ardhshme është ajo kundër Crystal Palace dhe trajneri ka vendosur ta rrisë ngarkesën stërvitore të skuadrës së tij, duke kryer seanca të dyfishta stërvitore gjatë një dite.

Pasi e nxori në stërvitje skuadrën mbrëmjen e së martës, gjermani e përsëriti një gjë të tillë edhe një ditë më vonë, pavarësisht temperaturave të ulëta gjatë atyre orëve. Virgil Van Dajk, James Milner dhe Sadio Mane ishin mes lojtarëve prezentë në qendrën stërvitore “Melwood”.

Nuk mungoi as kapiteni Jordan Henderson dhe sulmuesi më i rëndësishëm i 18 herë kampionëve të Anglisë, Mohamed Salah, i cili u pa të fliste edhe personalisht me trajnerin, i cili i dha disa këshilla.