Fjalë Kyçe

Presidenti Ademi vizitoi Klinën dhe Vushtrrinë, temë diskutimi përmirësimi i infrastrukturës

Presidenti Ademi vizitoi Klinën dhe Vushtrrinë, temë diskutimi përmirësimi i infrastrukturës

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sot, ka vizituar komunën e Klinës dhe atë të Vushtrrisë, shkruan GazetaAlo

Në Klinë, presidenti Ademi, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe zv.sekretarin e përgjithshëm, Arianit Ahmeti, janë pritur nga kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari i KF “Dukagjini”, Binak Kalludra dhe zyrtarë tjerë të komunës dhe klubit.

Temë diskutimi ishte ndërtimi i terrenit ndihmës, pasi nevojat e këtij klubi janë të mëdha, duke pasur parasysh se funksionon edhe klubi i femrave si dhe shkolla e futbollit. Po ashtu, presidenti Ademi vizitoi edhe stadiumin “18 Qershori”, në të cilin është bërë një punë shumë e mirë dhe po mirëmbahet jashtëzakonisht mirë nga drejtuesit e klubit.

Ndërkohë, në komunën e Vushtrrisë, presidenti Ademi së bashku me anëtarin e KE-së, Xhelal Broja dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu janë pritur nga kryetari i kësaj komune Xhafet Tahiri, e ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i KF “Vushtrria”, Naser Imeri si dhe strukturat tjera komunale dhe ato të klubit. Edhe vizita në këtë komunë kishte si qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe përshpejtimi i procesit për ndarjen e parcelës për terrenin ndihmës, i cili do të mund të ndërtohet në të ardhmen e afërt.

Si kryetari i Klinës, ashtu edhe ai i Vushtrrisë, u zotuan se janë në proces të ndarjes së parcelave për ndërtimin e terreneve ndihmëse, derisa presidenti Ademi u premtoi se FFK-ja do të bëjë gjithçka çfarë është në mundësitë dhe kapacitetet e saj që t’u ofrojë përkrahje në ndërtimin e terreneve ndihmëse, duke u mbështetur edhe ndihmën e Ministrisë së Sportit.

Presidenti Ademi ritheksoi se tani për tani prioritet i FFK-së është përmbyllja me sukses e ndërtimit të 12 fushave me barti sintetik për klubet e Superligës, ku tani më 6 prej këtyre fushave janë në përfundim e sipër, derisa 6 të tjera pritet të fillojnë së shpejti. Pas përfundimit të këtij projekti tejet të rëndësishëm, FFK-ja do të fillojë të mbështesë edhe projektin për përmirësimin e infrastrukturës edhe për klubet e Ligës së Parë si dhe ligave tjera. /GazetaAlo