Fjalë Kyçe

Sonte Partizani–Kukësi, për kë do të shkojë dhurata e Babagjyshit?!

Sonte Partizani–Kukësi, për kë do të shkojë dhurata e Babagjyshit?!

Partizani–Kukësi ka rikthyer sharmin e viteve të fundit, një duel i denjë midis dy skuadrave pretendente për titull.

Disa javë më parë pakkush e kishte menduar se në fundvit rivalët për objektivin madhor do të zbarkonin në “Selman Stërmasi” me synimin për të përfituar nga përballja direkte,duke parë që diferencat në klasifikim dhe në pikë ishin të mëdha.

Ecuria e javëve të fundit ka shkuar për Kukësin që tashmë vjen në sfidën e së premtes me synimin për të çuar në -2 pikë diferencën me Partizanin kryesues, ose në rastin më të keq për të qëndruar pikërisht 5 pikë larg. Krejt e kundërta për Partizanin që kërkon të zgjasë më tej hapin në krye, por mbi të gjitha për të larguar nga lufta e titullit një rival direkt.

Më 5 maj të 2017-ës skuadrat luanin një sfidë direkte për të vendosur se kush do të shkonte i qetë drejt titullit, me Kukësin që në “Selman Stërmasi” merrte një barazim në duelin që sillte në futbollin shqiptar një gjyqtar të huaj, sllovenin Matej Jug. Për momentin Partizani dhe Kukësi kanë gjetur ekuilibrat, me të kuqtë që gjatë gjithë këtyre javëve kanë ruajtur njëtrajtshmërinë, ndërkohë që verilindorët kanë rregulluar së tepërmi aspektin mbrojtës.

Dy skuadrat bëjnë pjesë tek sulmet më të mira, ashtu si dhe kanë repartet e prapavijës më të mira të kampionatit. Partizani-Kukësi është një finale e parakohshme për të zbukuruar më shumë kampionatin në këtë prag festash të fundvitit. Babagjyshi ka bërë gati dhuratën por të premten do të mësohet se kush do të gëzojë më shumë, të kuqtë apo verilindorët.