Fjalë Kyçe

Ministri i Arsimit tregon se a do të kompensohen orët e humbura

Ministri i Arsimit tregon se a do të kompensohen orët e humbura

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, sot ka mbledhur drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit me të cilët ka biseduar për proceset mësimore.

Bytyqi ka thënë se Ministria do të dalë me një vendim të detajizuar për kompensimin e orëve të humbura, njofton Klan Kosova.

“Në takim, diskutuam mundësitë e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës në arsim dhe kohën më të përshtatshme kur mund të bëhet ky zëvendësim”, ka thënë Bytyqi.

Po ashtu, në këtë mbledhje është diskutuar edhe për zbatueshmërinë e vendimit për ndalimin e përdorimit të telefonave nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve gjatë procesit mësimor.

“Theksova se vendimi duhet të zbatohet në tërësi në bazë të Udhëzimit Administrativ dhe kërkova raporte nga DKA-të rreth zbatueshmërisë së këtij vendimi. Rreth kësaj çështje, paralajmërova se do të merren masa ndëshkuese dhe do të bëhen publik të gjithë emrat e shkollave, të cilat nuk marrin masa rreth zbatimit të këtij vendimi”.

“Gjatë këtij takimi, kërkova vëmendje të shtuar nga DKA-të dhe menaxherët e shkollave, që të identifikojnë në kohë rastet e dhunës, apo keqpërdorimeve të ndryshme në shkolla. Theksova se mësimdhënësit pa integritet duhet të identifikohen sa më parë, sepse për të tillët nuk do të ketë vend në institucionet arsimore. Rreth kësaj, në këtë takim vendosëm që të vendosen kutitë e ankesave në të gjitha institucionet arsimore, të cilat fillimisht do të menaxhohen nga Inspektorati i Arsimit”.