Fjalë Kyçe

BE i përgjigjet Haradinajt për ndalesën e përfaqësuesve serbë në Merdare

BE i përgjigjet Haradinajt për ndalesën e përfaqësuesve serbë në Merdare

Të enjtën autoritet serbe në pikë kalimin kufitar në Merdare kanë ndaluar dhe kanë marrë në pyetje Nebojsha Jakovljeviq, anëtar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, SLS i cili është këshilltar i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ndaj kësaj ndalese kishte reaguar menjeherë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi që sipas tij kjo nuk është hera e parë, shkruan Gazeta Alo.

Autoritet serbe kishin vepruar njëjtë edhe me deputetin dhe kryetarin e Partisë së Pavarur Liberale, në Kosovë Sllobodan Petroviq  e po ashtu edhe me nënkryetarin e kësaj partie dhe zëvendësminisër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviq.

Haradinaj , këtë ndalesëe quajti  pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë.

Madje, apeloi tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës.

Gazeta Alo ka kërkuar sqarim në Bashkimin Evropian pikërisht për kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj se cila është përgjigja e tyre ndaj kësaj kërkese.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic ka thënë për Gazetën Alo se për këtë çështje jan informuar dhe se kanë kërkuar sqarime nga autoritet serbe.

“Ne jemi informuar nga autoritetet e Kosovës dhe ne kemi kërkuar sqarime nga autoritetet serbe”, ka thënë Kocijanciq.

Gjatë verës së vitit 2018, me probleme të tilla janë ballafaquar edhe pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Disa prej tyre, më pas i kanë braktisur radhët e FSK-së, gjë kjo e cila nga autoritetet e Kosovës ishte konsideruar si pasojë e presioneve nga Beogradi zyrtar./Gazeta Alo/