Fjalë Kyçe

“Qeveria të mos tërhiqet nga taksa ndaj produkteve serbe edhe nëse bllokohet dialogu”

“Qeveria të mos tërhiqet nga taksa ndaj produkteve serbe edhe nëse bllokohet dialogu”

Taksa prej 10% e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të importuara nga Serbia po del te jetë “mollë sherri”, për vazhdimin e dialogut në mes të dyja vendeve.

Madje, një gjë të tillë e tha edhe mbrëmë presidentit i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas takimit që kishte me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel, shkruan Gazeta Alo.

Ai tha se nuk ka dialog me Kosovën përderisa nuk tërhiqet taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet – të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit”, është shprehur Vuçiq.

Por, analistë në vend dhe njohës të integrimeve evropiane këtë po e shohin si qëndrim kushtëzues në raport me politikat e brendshme dhe me qeverisjen në Kosovë.

Sipas tyre, nëse Kosova dëshiron të tregohet shtet i pavarur dhe sovran atëherë nuk duhet të hjek dorë nga kjo taksë pavarësisht edhe nëse shkon deri të ajo që të ketë bllokim të dialogut.

“Në këtë rast palët kanë të drejtë dhe Vuçiqi ka të drejtë që nuk dëshiron me vazhdu dialogun nëse e konsideron se padrejtë është vendos taksa ndaj prodhimeve të Serbisë, ndërsa Kosova nëse e konsideron se kjo është e drejtë dhe është legjitime si shtet sovran dhe i pavarur nuk duhet me heq dorë edhe përkundër që mundet me u blloku dialogu”, ka thënë për Gazetën Alo analisti politik, Ramush Tahiri.

Por, thotë se kjo taksë është vendosur me arsyetim politik e aspak ekonomik.

“Taksa që është vendosur për prodhimet e Serbisë është vendos me arsyetim politik  dhe është një masë ekonomike por arsyetimin e ka politik që zakonisht masat ekonomike nuk vendosen në këtë mënyrë’, ka thënë ai.

Tahiri, është skeptik që taksa prej 10% ndaj produkteve të Serbisë do të vazhdojë.

“Kosova nëse konsideron se mallrat nga Serbia nuk janë të cilësisë së nevojshme mund të merr masa tjera, nëse konsideron se duhet me pas damping çmime për me mbrojt prodhimet vendore duhet ta thotë, por nëse Kosova merr masa ekonomike me arsyetim politik do të ishte një precedent dhe për atë nuk ka përkrahje ndërkombëtare , unë mendoj që Kosova do të hjek dorë siç ka ndodhur deri më tani”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, njohësi i integrimeve evropiane Avni Mazreku thotë për Gazetën Alo se pala kosova re nuk është e përgatitur për këtë fazë të dialogut.

“E para këtë qëndrim të Serbisë e shoh si qëndrim kushtëzues në raport me politikat e brendshme dhe me qeverisjen në Kosovë, e dyta palën kosovare në këtë proces dialogu e shoh si të papërgatitur për t’u ballafaquar me atë që po quhet fazë finale për vet faktin se ende në Kosovë nuk është arritur ai që quhet kompromis i gjerë nacional i cili do të duhej ta karakterizonte gjithë këtë të themi fazë të dialogimit me Serbinë në fazën finale”, ka thënë Mazreku.

I pyetur rreth asaj se a pret që të ketë një takim të radhës së shpejti pas ngjarjeve të mbrëmshme, Mazreku është shprehur skeptik duke thënë se edhe agjenda e bisedimeve mes të dyja vendeve momentalisht është një konfuzion.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 6 nëntor që të vendos taskë prej 10% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka thënë se BE-ja kërkon sqarime urgjente lidhur me vendimin e së martës të marrë nga autoritetet e Kosovës për të vendosur tarifa 10 për qind në importet e mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

“Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. Bashkimi Evropian pret që Kosova, që aktualisht është kryesuese e CEFTA-s të përmbushë plotësisht obligimet e kësaj organizate dhe të tërheqë masën”, ka thënë Kocijançiq./Gazeta Alo/