Fjalë Kyçe

Hakerët publikojnë të dhënat personale të politikanëve

Hakerët publikojnë të dhënat personale të politikanëve

Dokumente të brendshme dhe detaje personale që u përkasin qindra politikanëve janë publikuar “online”.

Piratimi ka pasur në shënjestër anëtarë nga të gjitha partitë politike gjermane, që janë të përfaqësuara në Parlamentin federal, me përjashtim të “Alternativës për Gjermaninë” të ekstremit të djathtë.

Politikanë në nivel shtetëror janë prekur po ashtu. Rrjedhja e informacioneve u zbulua të enjten në mbrëmje, siç raportojnë mediet gjermane, transmeton tch.

Sidoqoftë, dokumentet janë postuar “online” që në dhjetor të 2018-s, në një llogari “Twitter”-i me bazë në Hamburg, që i kishte publikuar ato në stil kalendari. Llogaria në “Twitter” e përshkruan veten me etiketa, si për shembull “kërkime sigurie”, “artist” dhe “satirë”.

Pjesa më e madhe e informacioneve janë detaje kontaktesh, si adresa dhe numra telefoni celular. Sidoqoftë, më shumë dokumente personale, përfshirë llogari bankare, detaje financiare, karta identiteti dhe biseda private janë publikuar në disa instanca.

Asnjë nga dokumentet e brendshme që janë zbuluar nuk raportohet të jetë shumë sensitiv. Dokumentet që janë publikuar përfshijnë aplikime për punë, memo partiake dhe lista të anëtarëve të partisë. Disa prej tyre madje ishin edhe të vjetra. Për momentin nuk ka asnjë të dyshuar, apo motiv, për çfarë ka ndodhur.