Fjalë Kyçe

Kopja e pahapur e lojës “Super Mario Bros” shitet për më shumë se 100.000 dollarë

Kopja e pahapur e lojës “Super Mario Bros” shitet për më shumë se 100.000 dollarë

Për disa entuziastë, ruajtja e video lojërave, si dhe mbledhja e koleksioneve të mëdha, e paraqesin një kënaqësi të vërtetë. Gjatë viteve, kemi parë lojëra të rralla të shiten për dhjetëra mijëra dollarë. Disa vjet më parë, koleksioni më i madh i videolojërave në botë u shit për 750.000 dollarë. Këtë muaj u vendos një rekord tjetër, kur një kopje e pahapur e lojës “Super Mario Bros” u shit për më shumë se 100,000 dollarë, përcjell KitGuru.

Si pjesë e ankandit privat, origjinali nga edicioni i parë i lojës “Super Mario Bros” për NES është shitur për 100.150 dollarë. Kjo është shuma më e madhe që dikush e ka paguar për një lojë koleksionimi deri më tani, shkruan KOHA Ditore.

Versionet e kësaj loje të cilat nuk janë në gjendje të ruajtur mund të gjenden për më pak se 100 dollarë, por ky edicion ishte i veçantë. Jo vetëm që loja është pjesë e edicionit të parë të linjës “Super Mario Bros” në Shtetet e Bashkuara, por ajo vjen e pahapur, e paketuar dhe madje e ka vulën e vjetër të Nintendos që është e padëmtuar.

Versioni i lojës tani u përket tre koleksionistëve, të cilët besojnë se vlera një ditë do të arrijë në mbi një milion dollarë.