Fjalë Kyçe

​Selimi: Zajednica është kanceri i territorit të Kosovës

​Selimi: Zajednica është kanceri i territorit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, njëherësh kërkuesi i interpelancës në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit Avdullah Hoti për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se kjo marrëveshje e ndan Kosovën.

Duke iu drejtuar kryeministrit Hoti në seancën e sotme plenare, Selimi tha se kjo Zajednica e defunksionalizon shtetin e Kosovës, derisa ka pyetur se a e dinë që kjo marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

“Ju jeni ende në anën e asaj Zajednicë për të cilën deklaruat para Komitetit për Politik të Jashtme të Parlamentit Evropian që do ta realizoni. Çfarë do të realizoni zotëri Hoti, cilën Zajednicë. A e dini se kjo marrëveshje e ndan Kosovën? A e dini se Zajednica e defunksionalizon shtetin e Kosovës? A e dini se kjo marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në 23 nene të saj? Si doni ta realizoni? Shiheni Bosnjën dhe Republika Serbe për të parë të ardhmen e Kosovës nëse ju e themeloni Zajednicën. Së fundmi, na doli se Isa Mustafa paska në xhep një letër të Mogherinit. E themi në xhep, sepse këtë letër nuk e la në zyrën e Kryeministrit në kohën kur e la mandatin. Isa Mustafa deklaroi se Mogherini me një letër drejtuar atij, ai është zotur se asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive. Atëherë, nëse qenka kështu, pse Mustafa nuk ia pati dorëzuar këtë letër Gjykatës Kushtetuese, pastaj të merrte vendim kjo gjykatë, sepse edhe vetë e di që një letër e tillë nuk prodhon kurrfarë efekti”, tha ai.

Selimi pyeti se a është Zajednica këmbim për njohje, derisa shtoi se pse kaq shtrenjtë Kosova duhet ta paguajnë njohjen nga Serbia. Ai ka prezantuar një hartë të Kosovës se si do të dukej nëse realizohet Zajednica.

“Kush ua dha legjitimitetin për ta kthyer në tavolinën e bisedimeve apo aq më tepër kush ua jep të drejtën të themeloni diçka që tashmë Kushtetua e ka ndaluar. Ju e dini qëndrimin e LVV-së sa i përket edhe simboleve kombëtare edhe simboleve shtetërore, e në anën tjetër shpesh herë na keni akuzuar që ne nuk i njohim ato simbole, gjë që nuk është e vërtetë, që ne nuk e njohim atë shtet gjë që nuk është e vërtetë. Se çfarë do t’i bëni Kosovës me Zajednicën po ua ilustrojë edhe me anë të flamurit të Kosovës se si do të duhej të dukej harta e Kosovës nëse do ta realizoni Zajednicën. Ja, kështu do të duket Kosova nëse ju lejoni që të bëhet Zajednica, rrjedhimisht kështu e mbroni ju shtetin e Kosovës, kështu e mbroni ju flamurin e Kosovës për të cilat na akuzoni padrejtësisht që nuk i njohim. Në këtë hartë më së miri është ilustruar jo vetëm harta e Zajednicës, por siç e patë edhe ato zona eksterritoriale që vijnë si rrjedhojë”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se Zajednica është kancer i territorit të Kosovës, derisa shtoi se nëse duhet të ndërrohet Kushtetuta, atëherë kjo duhet të bëhet me qëllim të bashkimit me Shqipërinë.

“Zajednica është kancer i territorit të Kosovës, po e lejuam ky kancer do të ketë metastazë dhe për një kohë shumë të shpejtë në saje të planit dhe qëllimit që ka Zajednica do të jetë ndoshta më i madh sesa ju e imagjinoni. Është e vërtetë që Kushtetuta nuk është as Bibël e as Kuran, por nëse është për ta ndërruar le ta ndërrojmë aty ku duhet neni 1.3 që i njeh të drejtën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë, e jo për ta gjymtuar edhe më shumë republikën tonë edhe ashtu të lodhur. Shkëputuni nga veprimet e mëhershme të Thaçit e të Mustafës, të cilët herë veç e veç e herë të dy së bashku ia sollën këtë Zajednicë dhe këtë marrëveshje të keqe Kosovës”, tha Selimi.

Ai ka prezantuar edhe rezolutën tri pikëshe për votim:

1. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë e pavlefshme dhe e pa zbatueshme.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ndalon çfarëdo përpjekje apo veprimi që dërgojnë drejt cenimit ose ndryshimit të rendit kushtetues dhe juridik dhe karakterit unitar të shtetit drejt ushtrimit asimetrik të pushtetit qendror e lokal ose drejt krijimit të entiteteve të pushtetit të tretë brenda Republikës së Kosovës.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedimeve që kthen çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë si temë, asnjë zyrtar publik i Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet.