Fjalë Kyçe

Dieta e hershme e gjyshit, mund të ndikojë në shëndetin tuaj? Ja se ç’thonë studiuesit

Dieta e hershme e gjyshit, mund të ndikojë në shëndetin tuaj? Ja se ç’thonë studiuesit

Studimet mbi ushqyerjen e njerëzve, shoqërohen zakonisht me shumë vështirësi. Situata bëhet edhe më e vështirë, kur dikush dëshiron të studiojë efektin e dietës së një personi, mbi shëndetin e brezave të ardhshëm.

Megjithatë, epidemiologu i Universitetit të Stokholmit në Suedi, Deni Vagero dhe kolegët e tij, menduan se mund të zbulonin diçka, duke studiuar të dhënat e lindjes dhe vdekjes nga një grup njerëzish të lindur në Upsala, në fillim të shekullit XX-të, dhe t’i krahasonin ato me të pasardhësve të tyre.

Ekipi planifikoi të kombinojë informacione të tilla si shkaqet e vdekjes, me vlerësimin e sasisë së ushqimit në dispozicion gjatë fëmijërisë së gjyshërve. Kërkuesit shpresuan se ky veprim, do t’u jepte mundësi të testonin gjetjet nga një grup tjetër suedez kërkimor shumë më i vogël, i njohur si Overkaliks, që kishte tërhequr shumë vëmendje me studimin e efekteve shumë-breznore të të ushqyerit.

Studimi mbi atë grup të dhënash, tregoi se sasia e ushqimit që një burrë kishte ngrënë ndërmjet moshës 9-12 vjeç, periudha në të cilën qelizat primare të embrionit maturohen në spermatogoni, lidhej me rezultate të ndryshme të shëndetit tek nipërit e tij në linjë mashkullore nga rreziku i sëmundjeve, dhe deri tek jetëgjatësia.

Për të gjetur se ku dhe kur u lindën gjyshërit e Upsalës, dhe për të vlerësuar se si duhet të kenë ngrënë gjatë fëmijërisë së tyre, dy studentë u trajuan të studionin kopjet e skanuara të librave të famullisë dhe të të korrjeve, ai dhe regjistrat gjenealogjike mbi brezat e ndryshëm; një botim i njohur si Indeksi Suedez i Vdekjeve; dhe të dhënat e vdekjeve në dekadat e fundit.

Studentët hartuan dietat e më shumë se 9.000 njerëzve, që kanë jetuar në Suedi midis viteve 1874-1910. Ekipi i shkencëtarëve, krahasoi të dhënat e atyre njerëzve me të dhënat e lindjeve dhe vdekjeve të fëmijëve dhe nipërve të tyre. Vagero dhe kolegët e tij, testuan edhe disa prej përfundimeve të studimeve të mëhershme më të vogla.

Për shembull, një botim i 2002, i cili përfshinte vetëm 239 subjekte në gjeneratën e re, kishte gjetur një lidhje pozitive ndërmjet një bollëkut në ushqime gjatë jetës së një njeriu në moshën e fëmijërisë, dhe gjasat që nipi i tij në linjë mashkullore të vdiste nga diabeti apo sëmundjet kardiovaskulare.

Edhe jetëgjatësia e përgjithshme e nipërve, binte kur burrat kishin qasje të bollshme në ushqim, zbuloi një studim i mëvonshëm. Ndonëse ato studime, nuk mbështeteshin në shumë statistika ose mbi ndonjë dëshmi për një mekanizëm që do të shpjegonte efektet që ato parashtronin, disa kërkime të kohëve më të fundit mbi kafshët, duket se mbështesin idenë se efektet e dietës, mund të transmetohen në 2 breza ose më shumë.

Për shembull në një studim mbi minjtë, kafshët e ushqyera me një dietë me shumë yndyrna, kishin modele të ndryshme të shprehjes së mikroRNA dhe metilimit të ADN-së në spermën e tyre, duke sugjeruar një mekanizëm të mundshëm, me anë të të cilit mund të trashëgohen ndryshimet e nxitura nga dieta.

A r efekte të tilla afatgjata të dietës në grupin e Upsalas? Kur u analizua baza e të dhënave të tyre me 3 gjenerata, Vagero dhe kolegët nuk gjetën ndonjë lidhje midis një bollëku ushqimor gjatë fëmijërisë së hershme të gjyshit, dhe gjasat e nipit të tij të prekej nga diabeti ose sëmundjet kardiovaskulare, duke kundërshtuar kësisoj disa nga rezultatet e studimeve të Overkaliksit.

Por studiuesit zbuluan se pasardhësit e gjyshërve të ushqyer më mirë përmes linjës mashkullore vdisnin mesatarisht më herët, dhe kishin më shumë gjasa të vdisnin nga kanceri. Kjo marrëdhënie, nuk është e vërtetë për mbesat.

Ndërkohë studimi i Upsalas, ka zbuluar një efekt trans-breznor në rrezikun e prekjes nga diabeti përgjatë një brezi: bijtë e baballarëve me një qasje të mirë tek ushqimi, kanë më shumë gjasa të vdesin nga kjo sëmundje.

Kethrin Hojo, epidemiologe në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut në SHBA, që nuk ishte e përfshirë në studimin e ri, thotë se hulumtimi i shtohet dëshmive ekzistuese, se ndryshimet epigjenetike në linjat e embrionit mashkullor, mund të shkaktojnë efekte shëndetësore në gjeneratat e ardhshme – një dukuri që ajo dhe kolegët e saj e kanë përmendur në një studim të vitit 2014.

“The Scientist” – Bota.al