Fjalë Kyçe

Shqiptari ndihmon në kapjen e hajdutëve në një argjendari në Londër

Shqiptari ndihmon në kapjen e hajdutëve në një argjendari në Londër

Grabitësve të një argjendarie në Londër, gjërat nuk i shkuan sipas planit, e kjo për shkak të një ndërhyrjeje të cilën nuk e kishin llogaritur.
Grabitësit kishin parashikuar ta zhvillonin goditjen e të largoheshin me shpejtësi me motoçikleta, ç’ka do t’u jepte epërsi përballë reagimit të forcave të policisë.

Por pasi rrëmbyen bizhuteri me vlerën prej 190.000 dollarë, hajdutëve të veshur kokë e këmbë me të zeza u doli një pengesë: ndërsa largoheshin, një grup kalimtarësh u vunë në ndjekje të tyre; njëri prej djemve që u vërsulën mbi grabitësit, ishte shqiptar. Edhe videoja e momentit dramatik u filmua nga një çift shqiptarësh nga Kosova, me banim në kryeqytetin britanik.
Mësohet se dy prej grabitësve u arrestuan nga policia jo shumë larg vendit të ngjarjes, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim. Në Londër ndërkohë duket reagimet në raste të tilla sa vjen e po shtohen.
Përmes një videoje ekskluzive, Dailymail tregoi një episod të ngjashëm, kur hajduti praktikisht kthehet në viktimë. Dy persona tentuan të grabisnin një burrë që ishte në rrugë duke folur me miqtë e tij, por ndeshen në një reagim të cilin nuk e prisnin.

Burri që dallon në pamjet filmike nga këmisha e bardhë, i kthehet duke goditur njërin prej tyre në mënyrë të përsëritur dhe e ndjek me vrap. Edhe pse tjetri ndërhyn, ai vazhdon ta qëllojë agresorin e parë duke e rrëzuar për tokë, dhe nuk ndalet as kur ai hyn në veturë, duke i goditur edhe automjetin.