Fjalë Kyçe

Artistja nga Kuvajti ekspozitë me fotografi për mikpritjen e shqiptarëve

Artistja nga Kuvajti ekspozitë me fotografi për mikpritjen e shqiptarëve

Në Tiranë është hapur ekspozita me temë “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes”, e artistes nga Kuvajti, Ebtisam Al-Houti, e cila është bashkëshortja e ambasadorit të Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al- Jassim

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të institucioneve të tjera të vendit, ambasadorë, artistë, si dhe artdashës, të cilët u njohën nga afër me fotot e realizuara nga fotografja kuvajtiane në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj në aktivitet, autorja e fotografive, Ebtisam Al-Houti, theksoi se një nga gjërat që i mahnit më shumë vizitorët në Shqipëri është natyra miqësore dhe paqësore e shqiptarit.

“Përvoja ime këtu, e bëri qëndrimin në këtë vend në një nga më të bukurit, me kujtime të paharrueshme. Pata mundësinë të shoh vende të veçanta dhe kënaqësinë të shëtis në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë, ku u ndjeva vërtet mirë me natyrën e bukur dhe klimën e përshtatshme gjatë gjithë vitit. Më lindi një dëshirë e madhe për të ditur më shumë mbi kulturën shqiptare dhe shqiptarët. Jam thellësisht e bindur se shqiptarët janë bujarë dhe mikpritës dhe kam një ndjesi pozitive se këtë gjë e bëjnë me pastërtinë e zemrës. Ashtu siç thotë dhe shprehja popullore, ‘Bukë e kripë e zemër të bardhë’”, tha Ebtisam Al-Houti.

Ajo u shpreh se si njerëz që ruajnë fort lidhjet familjare, shqiptarët janë bujarë dhe shumë mikpritës dhe se ata dinë se si të bashkëjetojnë në paqe me grupet e ndryshme të shoqërisë.

“Vihet re shumë qartë që shumica e njerëzve në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht krahinës dhe fesë që i përkasin, e trajtojnë mikun me nder dhe respekt, si dhe kanë dëshirën për të pasur sa më shumë miq, dhe e presin mikun duke respektuar natyrën e tij. Profeti ynë i shtrenjtë, Muhamedi (a.s.), ka thënë: ‘Kush ka frikë Zotin dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mikun e tij’. Kjo është dhe arsye se përse e kam vënë theksin tek rëndësia e këtyre vlerave të bukura”, tha Al-Houti, e cila me fotot e saj është munduar të nxjerrë në pah këto veçori të shqiptarëve.

Kjo ekspozitë është hapur me rastin e 50 vjetorit të lidhjeve diplomatike mes Kuvajtit dhe Republikës së Shqipërisë.

Ekspozita përmban rreth 40 fotografi që pasqyrojnë aspekte të veçanta nga tradita e mikpritjes së shqiptarëve, veshjet tradicionale, historinë e qyteteve, ndërsa do të qëndrojë e hapur për tre ditë me radhë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.