Fjalë Kyçe

Dyqani i traditës me aromën e kafesë dhe ëmbëlsinë e bonboneve

Dyqani i traditës me aromën e kafesë dhe ëmbëlsinë e bonboneve

Është padiskutim shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të gjesh një njeri që ka 30 vjet e më shumë e që nuk e ka ende në mendje atë shijen e ëmbël të bonboneve të larme. Bonbone të një kohe kur në Prishtinë e gjetiu bollëku i ushqimeve të ëmbla s’ka qenë ky i sotmi.

E në Prishtinë, më të ëmbël se kudo tjetër, ata janë blerë në dyqanin emblematik të kryeqytetit “Llukmani”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Më tepër sesa për bonbonet, ky dyqan, që gjendet në pjesën e Prishtinës së Vjetër, njihet për kafenë dhe për farat e zeza. Aroma e kafesë së pjekur në këtë dyqan është shpërndarë në një rreze me qindra metra. E farave të zeza, po ashtu.

Në dyqan sot është shtuar menyja e gjërave që mund të blihen. Por tradita e bën kafenë e shtëpisë produktin më të kërkuar te “Llukmani”.

Një të mërkure pasdite aty është Durim Havziu. Mosha e tij është më e vogël sesa dyfishi i “moshës” së lokalit në atë vend. Ai është 23 vjeç, dhe është stërnipi i të parit të kësaj zeje.

Receta e shtëpisë

Me prejardhje nga Tetova, Garip Havziu është i pari i familjes që është marrë me këtë zanat. Por me kafe ai ka punuar jashtë trojeve shqiptare.

Muhamet Havziu, që tash është pronar i dyqaneve “Llukmani”, ka treguar se gjyshi i tij këtë zeje e ushtronte në Sofje të Bullgarisë qysh para Luftës së Dytë Botërore.

“Babai (Havzi Havziu) pastaj është kthyer nga Gjermania dhe e ka gjetur veten në një dyqan të vogël në Prishtinë”, thotë ai.

E prej atëherë “Llukmani” është në të njëjtin vend.

Më i riu i familjes që merret me këtë punë, Durimi, nuk mund ta thotë me siguri të plotë kohën kur nisi punën ky dyqan, por në bazë të diskutimeve në familje, thotë se dyqani mund të jetë me këtë veprimtari për më shumë se 50 vjet.