Fjalë Kyçe

Kadare fiton çmimin e njohur letrar Pak Kyong-ni

Kadare fiton çmimin e njohur letrar Pak Kyong-ni

Ismail Kadare është fituesi i çmimit të njohur koreano-jugor të letërsisë, Pak Kyong-ni, si mirënjohje për artin e tij me vlera sociale, që buron nga përvoja historike e popullit shqiptar, sipas agjencisë koreano-jugore të lajmeve, Yonhap.

”Kadare, 83 vjeç, ka qenë një nga autorët më me ndikim në Evropë që nga debutimi i tij i parë në vitet ’60. Në 2005 ai u bë shkrimtari i parë që mori çmimin Man Booker International për të gjithë punën e tij. Ai është kandiduar shpesh edhe për çmimin Nobel në Letërsi”, shkruan ”Korean Herald”.

”Ai debutoi në vitin 1963 me ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ndërkohë që në veprat e tij më të mira përfshihen edhe ‘Kështjella’, ‘Prilli i thyer’ dhe ‘Lulet e ftohta të marsit”, shton ajo. ”Shqipëria ka qenë një nga kombet më të izoluara në Europë. Ishte një vend komunist nën regjimin diktatorial”, deklaroi Kadare në frëngjisht gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot në Qendrën e Shtypit në Gwanghwamun.

Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që përjetoi rënien e regjimit komunist në vitet 1990. Duke luftuar kundër shtypjes qeveritare, Kadare kërkoi të migronte në Paris pak kohë përpara rënies së regjimit.

“Kur librat e mi u botuan për herë të parë në botën perëndimore, këto vende ishin kombet që Shqipëria i kishte etiketuar si armiq”, tha Kadare.

”Mendohej që të drejtat e njeriut nuk respektoheshin në Shqipëri. Duke shkruar romane në një komb të tillë, unë u gjenda në një situatë të çuditshme. Përvojat duhet të reflektoheshin në veprat e mia”, shton ai.

Ai njihet për përdorimin e miteve dhe fabulave për të satirizuar regjimin komunist. “Nuk jam i vetmi që përdor imagjinatën për të shkruar. Satira praktikohet në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera komuniste”, tha ai duke iu referuar këtij zhanri si “një fantazi e përpunuar e historisë”.

“Për mua dhe shkrimtarët e tjerë, satira është një mënyrë për të shprehur mendimet tona kundër shtypjeve të pushtetit të regjimeve komuniste”, deklaroi ai. Ceremonia zyrtare do të zhvillohet të shtunën në Toji Cultural Center në Wonju, në provincën e Gangwonit.