Fjalë Kyçe

Kamerat e sigurisë – hapi i radhës për ruajtjen e minibibliotekave në Prishtinë

Kamerat e sigurisë – hapi i radhës për ruajtjen e minibibliotekave në Prishtinë

Nga rreth 100 libra, “Trimi i mirë me shokë shumë” i Sylejman Pitarkës u ka shpëtuar grabitësve në oborrin e shkollës “Pavarësia” në “Lagjen e Spitalit”.

Libri i botuar më 1998 ishte marrë nga lexuesit para se titujt e tjerë të kësaj minibiblioteke të grabiteshin. Të dielën “Trimi…” është kthyer, shkruan sot “Koha Ditore”. Pos kësaj minibiblioteke, pa kaluar tri ditë prej kur janë vendosur, edhe ajo e “Bregut të Diellit” ka qenë cak i sulmeve. Të dytës i janë thyer xhamat. Por këto të dyja nuk janë halli i vetëm sa i përket këtij projekti për shpërndarje të librave nëpër lagje të kryeqytetit.

Nga pesë sa kanë zënë vend, vetëm e “Velanisë” nuk ka pasur ndonjë ndërhyrjeje jashtë rregullave të përcaktuara. Krejt kjo situatë ka bërë që organizatorët të planifikojnë edhe kamera të sigurisë për ruajtën e minibibliotekave.

Vendosja e minibibliotekave kishte filluar më 5 nëntor në lagjen “Dardania”. E njëjta minibibliotekë ishte pre e goditjeve me vezë pa kaluar 24 orë. Pas saj, më 15 nëntor ishte hapur minibiblioteka në lagjen “Ulpiana”, ndërsa më 21 nëntor, të njëjtën ditë me atë në “Breg të Diellit” dhe “Lagje të Spitalit” ishte hapur edhe një në “Velani”. Me moton “Sill një libër – merr një tjetër, synimi i gjithë kësaj pune është që të nxitet lexueshmëria. Kjo mënyrë e shkëmbimit është bërë që minibiblioteka të ketë libra dhe tituj të ndryshëm gjatë gjithë kohës. Por implementuesit e këtij projekti nuk e kanë ndërmend të heqin dorë pavarësisht problemeve.

Agon Ahmeti, drejtor i organizatës “ETEA”, që është implementues e këtij projekti, ka thënë se rifunksionalizimi i minibibliotekave do të ndodhë derisa dëmtuesit të dorëzohen.

Po ashtu ka treguar se të gjithë bashkëpunëtorët që kanë iniciuar këtë projekt kanë vendosur qe të takohen në fillim të javës.

“Do të shqyrtojmë alternativat e të punojmë në atë drejtim që të rrisim nivelin e sigurisë në minibiblioteka, pasi ky projekt synon t’i mbulojë 12 lagje të Prishtinës deri në fund të vitit 2019, dhe në vitin e ardhshëm të ketë shtrirje në nivel kombëtar”, ka thënë ai.