Fjalë Kyçe

Koleksionoi 3000 pllaka e CD të vjetra

Koleksionoi 3000 pllaka e CD të vjetra

Kaseta të vjetra, CD, e mbi 3, 000 pllaka, janë të ekspozuara në “arkivën e tij”. Ato i sillnin nostalgji për të kaluarën. Ka filluar me figura ngjitëse që në moshën 9-vjeçare, dhe i ruan edhe sot me shumë fanatizëm.

Është ky Hasan Avdyli nga Prizreni, i cili ka thënë që ka filluar t’i koleksionojë për vete, që t’i ketë gjithmonë, dhe t’i dëgjojë kurdo që dëshiron.

“Koleksionet kam filluar t’i bëj qysh kur isha fëmijë i moshës 9-vjeçare. Kam vazhduar me stripa nga viti 1976. Në atë kohë nuk ka pasur internet apo teknologji dhe e vetmja gjë që kemi mundur të mbledhim kanë qenë këto gjëra”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hasan Avdyli.

Më të preferuarat e tij mbeten pllakat muzikore. Ka bërë çmos që ti ketë të gjitha ato që ka dashur. Ne koleksionin e tij mund të gjejmë të gjitha llojet e tyre, që nga këngëtari Sali Bajrami e deri te grupi Sepultura.

“Në vitin 1984 kam filluar me koleksionimin e kasetave. Kasetat e para ishin nga Radio Prishtina”, shtoi më tej Hasan Avdyli. Hasan Avdyli nuk hezitoi të na tregoi edhe disa prej tyre, te cilat do të mbeten gjithmonë të preferuarat e tij.

Mirëpo ai nuk ka ndaluar së koleksionuari gjëra. Ai së fundi ka blerë një radio shumë të veçantë. Hasan Avdyli, ka thënë që shumicën e kohës e kalon në dhomën e tij, duke dëgjuar pllakat e tij e përmes tyre duke reflektuar mbi të kaluarën.