Fjalë Kyçe

“Një palë këpucë në ditë”

“Një palë këpucë në ditë”

Po të kalosh rrugëve të këtij qyteti të vogël edhe mëngjeseve të të shtunave gjeni të hapur këtë dyqan këpucësh. Në ritmin e një radioje që të jepte ndjesinë e viteve të 70ta gjetëm hapur derën e një zotëriu që brenda po riparonte këpucët e para për këtë ditë e me të cilat sapo kishte filluar punën. Një 73 vjeçar që gjithë jetën e tij i kishte kushtuar këtij profesioni duart e të cilit ende punonin si tik takët e orëve. Në murin me përplot gjësende s’mund të mungonin as fotografitë e atyre prej të cilëve zotëriu Imer kishte trashëguar këpucëtarinë, prindërit e tij. Ishte veç një fëmijë kur ai kishte marrë hapat e parë për këtë artizanat.

Imer Kabashi tashmë 50 vite ushtron këtë profesion, edhe pse ka vite që është pensionuar.                          I diplomuar në vitin 1969 për këtë lëmi ai tregon për përvojat e tij si këpucëtar i kahmotshëm.              Punë arkitekti e cila merr kohë e kërkon përkushtim e përshkruan ai këpucëtarinë.                                        Këtë punë ai ka filluar ta ushtrojë që kur ishte fëmijë, të cilin profesion e trashëgoi nga babai i tij.

Ai shprehet mjaft entuiziast për këtë artizanat të cilin tash e sa vite e bën  me deshirë pavarësisht përfitimeve të vogla që kjo punë i sjell.

Në fillet e tij Imeri prodhimtarinë e këpucëve e kishte zhvilluar me makineri të ndryshme dhe adekuate gjithashtu të trashëguara të cilat arrijnë 100 vite jetëgjatësi. Makineri këto të cilat edhe sot i posedon megjithëse nuk i përdor më ato s’mund të mos ishin aty sepse të jepnin ndjesinë e një muzeu të vogël.

Prodhimi një palë këpucëve merrte dy dite kohë, pasi që është një punë e ngadalshme që kërkon durim, por megjithatë është një punë që të dhuron kënaqësi thotë ai. Së pari bëhet dizajnimi i tyre, prerja e materialit dhe në fund qepja e tyre.

Imeri dhe e shoqja e tij i ndanë eksperiencat së bashku pasi që edhe e shoqja e tij merrej me punime të punës së dorës përkatësisht me dizajnimin veshjeve të ndryshme kombëtare si dhe veshje të tjera tradicionale përderisa krahason punën e saj dhe të tijën për faktin që kërkonte shumë përkushtim.

Ai shprehet se kohë më parë jo të gjithë do të mund të siguronin një palë këpucë lëkure kualitative për shkak të çmimit që posedonin. Këpucë atëbotë kanë mbathur kryetari, nënkryetari thotë me buzë në gaz. Ndërsa qytetarët e thjeshtë mbathnin këpucët e quajtura Oponga të përbëra nga lëkura e buallit e pak më vonë dolën në treg qizmet e gomës.

Me kalimin e kohës Imeri thotë se interesimi për këpucë vazhdoi të rritej njashtu edhe puna e tij.    Kërkesat për shërbimet e tij tanimë po arrinin shifrën deri  50 palë këpucë në ditë.

Megjithatë si çdo zejetari në vendin tonë nuk do t’i mbijetonte kohës për shkak të interesimit të vogël për t’i vazhduar më tej këto profesione si rrobaqepësia, farkëtaria, e këpucëtaria ku rol luante  edhe përqendrimi i vogël i popullsisë sidomos në qytetet e vogla si Rahoveci.

Ai thotë se në qytetin e Prizrenit gjatë kohës së okupimit turk ky qytet kishte pasur rreth 62 dyqane zejesh të ndryshme ndërsa sot numri i tyre është zvogëluar dukshëm, dhe tanimë prodhimtaria ishte shndrruar në tregti.

Megjithatë shkasi kryesor i zvogëlimit të klienteles me kohën ishte hapja e fabrikave të këpucëve dhe çmimet e përballueshme që ofronin ato fabrika për shkak të punës në seri përderisa një këpucëtar i zakonshëm do të prodhonte një palë këpucë unike. Fabrika këto të cilat tanimë i bënin konkurrencë këtyre dyqaneve e në raste ekstreme filluan ta ndalojnë prodhimtarinë me gjithë kualitetin që posedonin, ashtu si zotëriu.

Tani më ka kohë që ai nuk merret me prodhimin e këpucëve por vetëm me riparimin e tyre ku megjithatë siç shprehet ai është një profesion i nënvlerësuar dhe të cilin e kryen për çmime shumë të ulëta.

Imeri nuk ka se kujt t’ia trashëgojë profesionin e tij për shkak të jo interesimit të këtij zanati dhe se kur ai do të ndalojë së ushtruari këtë profesion dyqani i tij do të mbyllet.

Nga dhjetëra këpucë brenda ditës tani më në raftet e tij zënë vend vetëm ca prej tyre.

Tanime artizanati nuk po trashëgohet./GazetaAlo/