Fjalë Kyçe

Përvjetori i filmit “Skëndërbeu”/ Gati një tjetër bashkëpunim kinematografik shqiptaro-rus

Përvjetori i filmit “Skëndërbeu”/ Gati një tjetër bashkëpunim kinematografik shqiptaro-rus

66 vjetori i xhirimit të filmit “Skënderbeut” është përkujtuar me një ekspozitë në Gjirokastër. Ekipet kinematografike shqiptare dhe ruse vizituan një ekspozitë me rreth 60 foto historike të periudhës së xhirimeve në muzeun “Kadare”.

Ilir Lluri regjisor i njohur tha se xhirimet janë fiksuar në kujtesën e qytetit si skena masive ku mijëra figuratë u veshën me kostume kombëtare dhe u bënë pjesë e xhirimeve të sulmit ndaj Krujës, xhiruar në Gjirokastër.

“66 vjetori i xhirimeve të filmit shqiptaro-rus “Skënderbeu” në Gjirokastër përkon me një tjetër produksion të rëndësishëm ruso-shqiptar, filmin “Gjirokastra” që vjen si bashkëpunim midis produksionit shqiptar “Albimazh” dhe atij rus “Fortunafilms” me producentët respektivë, Loreta Mokini dhe Ella Arkangelskaia”, shprehet regjisori ilir Lluri.

Vetë regjisori i njohur rus Juri Arabov tha se filmi që po përfundon xhirimet është përqafuar me dashuri prej rusëve dhe do të jetë një realizim mbresëlënës.

“Tashmë po arrijmë në finalen e madhe. Grupi shqiptar dhe rus ka bërë të pamundurën për realizimin e këtij filmi. Dje aktorja ruse ka prerë flokët e saj për të realizuar këtë film dhe ky është një rast i rrallë në kinema. Protagonistja e rolit kryesor është rrëzuar dy herë nëpër gurë për të realizuar rolin sa më mirë.E dua shumë Shqipërinë. Dimri juaj është si pranvera ruse. Më ngroh shpresa se do të bëjmë një film të denjë. Do të mundohemi të jemi të denjë për nderin që na bëtë”, ka thënë Juri Arabov.

Ngjarjet e filmit lidhen me vuajtjet që kaluan me dhjetëra familje shqiptaro-ruse pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961.