Fjalë Kyçe

Pikturat e Adolf Hitlerit nuk shiten

Pikturat e Adolf Hitlerit nuk shiten

Pesë tablo që thuhet se janë pikturuar nga ish-kreu nazist, Adolf Hitler, dështuan të shiten në ankand në Gjermani. Shtëpia e ankandit Weidler kishte vendosur një çmim fillestar prej 45,000 eurosh.

Ankandi u mbajt në Nuremburg, qyteti gjerman dikur i njohur për tubimet masive të Hitlerit, ku nazistët kryesorë u gjykuan më vonë për krimet e luftës.

Akuzat për falsifikimin e objekteve e dëmtuan ankandin dhe kryebashkiaku i qytetit Ulrich Maly e përshkroi këtë si një “shije të keqe”, transmeton oranews. Në shitje kishin dalë gjithashtu një vazo dhe një karrige e thurur.

Shfaqjet publike të simboleve naziste janë të ndaluara me ligj në Gjermani, përveç disa rasteve, si ato arsimore apo historike.

Shtëpia e ankandit përdori disa boshllëqe të ligjit për t’i përfshirë objektet në katalogun e shitjeve.
Ndërkohë, dhjetëra vepra arti që ishin parashikuar të dilnin në shitje, u sekuestruan nga policia gjermane.

Prokurorët thanë se 63 objekte që kishin mbishkrimet “AH” ose “A Hitler” u konfiskuan pas dyshimeve se mund të ishin të falsifikuara.