Fjalë Kyçe

Rituali i ecjes në zjarr në Prizren

Rituali i ecjes në zjarr në Prizren

Turra e druve digjet në një mbrëmje marsi në mes të ishullit të improvizuar në formë gjysmëharku në Parkun e qytetit të Prizrenit.

Ndërsa në miniamfiteatrin aty është mbledhur publiku, për të parë nga afër ritualin e ecjes në zjarr, që tradicionalisht realizohet një herë në vit në këtë qytet. Në sfond dëgjohet gurgullima e lumit, por edhe muzika shpirtërore me zë të ulët, shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa flakët bashkë me reflektorët ndriçojnë hapësirën e parkut të shndërruar në skenë, moderatori i kësaj ngjarjeje të rrallë tradicionale, Rron Kastrati, para të pranishmëve shpjegon se si rituali i ecjes në zjarr përmban të gjitha elementet pozitive të psikologjisë njerëzore – shëndetit të mbarë, forcës shpirtërore, ngritjes së vetëdijes dhe natyrës së fuqishme për t’i përballuar rreziqet nëpër të cilat ballafaqohet njeriu gjatë jetës së përditshme.

“Përmes këtij rituali, pos mposhtjes së frikës, mund t’i largojmë fobitë e ndryshme, të cilat na paraqiten gjatë çdo sfide në jetën tonë”, thotë ai, gjatë prezantimit. Sipas tij, ky ritual ndikon në forcimin e mendjes dhe se ka një histori të gjatë, duke u zbatuar që nga kohërat e lashta e deri më tani.

“Përmes këtij rituali shumë njerëz kanë përfituar dobi të shëndetshme. Përmes këtij rituali janë shëruar shumë njerëz nga frikët e ndryshme, është krijuar forca e vetëbesimit, forca e madhe e psikologjisë sonë njerëzore dhe po ashtu janë forcuar emocionet tona”, thekson Kastrati.

Po ashtu, sqaron se ecja në zjarr krijon mundësi të arta që individi të krijojë kontakte të vazhdueshme me ndërdijen, me psikologjinë e brendshme, me emocionet dhe me çdo element tjetër pozitiv që ka njeriu.