Fjalë Kyçe

Vonohen për gati tre muaj rezultatet për përkrahjen e ngjarjeve kulturore nga Komuna e Prishtinës

Vonohen për gati tre muaj rezultatet për përkrahjen e ngjarjeve kulturore nga  Komuna e Prishtinës

Edhe pse është muaji i shtatë i vitit, organizatorët e ngjarjeve kulturore akoma nuk kanë marrë përgjigje nëse do të kenë mbështetje financiare nga Komuna e Prishtinës.

Disa nga udhëheqësit e festivaleve, që tashmë kanë përfunduar edicionet e sivjetshme, kanë thënë se vonesa e publikimit të listës së organizimeve kulturore, që do të përkrahen nga Komuna, është duke ndikuar në përfundimin e obligimeve që kanë. Vlera e përgjithshme e planifikuar e thirrjes së parë për këtë vit është 415 mijë euro.

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës u kishte bërë thirrje më 22 mars të gjithë individëve, bizneseve, organizatave joqeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e kulturës, të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në organizimin e festivaleve dhe manifestimeve muzikore, botimeve, projekte kinematografike dhe atyre teatrore, që organizohen në Komunën e Prishtinës. Mirëpo, edhe pse afati për dorëzimin e propozimeve është mbyllur më 12 prill, Komuna akoma nuk ka publikuar rezultatet.

Përmes kësaj thirrjeje, tashmë të digjitalizuar, kanë pasur të drejtë aplikimi me projektet e tyre OJQ-të, që janë të regjistruara në regjistrin e organizatave joqeveritare në Republikën e Kosovës, e të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës së paku një vit para datës së publikimit të thirrjes publike. Individët, bizneset dhe OJQ-të aplikuese, po ashtu u është dashur që të dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushat, si: festivale e manifestime, muzikë, botime, kinematografi dhe teatër. Periudha e zbatimit të projektit është deri në fund të muajit dhjetor 2019.