Fjalë Kyçe

Erdogan kërkon ndarje gjinore në universitete?

Erdogan kërkon ndarje gjinore në universitete?

Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan ka zbuluar në shtetin Japonez një model shkollor që e mendon të vlefshëm edhe për Turqinë: universitetet me ndarje gjinore.

Por kjo ide ka hasur në reagime të zemëruara.

Një pasazh në një fjalim të Presidentit Erdogan gjatë samitit të fundit të G20-së në Osaka ka zgjuar vëmendjen e ka sjellë debat. Erdogan aty lëvdoi sistemin arsimor japonez, në të cilin disa universitete praktikojnë ndarjen e gjinive.

“80 universitetet e grave në vendin e largët lindor janë një gjë shumë e rëndësishme”, tha Erdogan dhe se mund të përfytyrojë të njëjtat hapa edhe në Turqi.

Pas kthimit nga samiti, ai i ritheksoi në Ankara avantazhet e sistemit arsimor me ndarje gjinore sipas modelit japonez, që ai e sheh të realizueshme edhe në universitetet turke. Erdogan ka këshilluar Këshillin e Arsimit të Lartë në Turqi (YÖK) të trajtojë këtë temë.

Reagimet në shoqërinë turke, mes tyre edhe gra e feministe për këtë propozim për reforme të presidentit turk ishin mjaft kritike. Shumë e menduan si të papërshtatshme që pikërisht Japonia të merrej si model për një reformë të sistemit arsimor në Turqi.

Në fund të fundit, Japonia nuk është një vend shembullor në çështjet e barazisë gjinore. Sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2018, që merret me pabarazinë gjinore në të gjithë botën, Japonia nga 140 vende, zë vendin e 110. Turqia renditet vetëm 20 vende më pas.

Fatmagül Berktay, studiuese e çështjeve politike dhe eksperte për të drejtat e grave, kujton, se universitetet mes ndarje gjinore në shekullin e XIX-të ndiqnin qëllimin që t’u mundësonin femrave qasjen në universitete.

Edhe në Japoni ato u krijuan me këtë qëllim, por sot ndarja gjinore është një akt diskriminimi. Sistemi arsimor turk ka humbur shumë nga ana cilësore në vitet e fundit, prandaj ka probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur.

“Sistemi ynë arsimor është kryesisht në gjendje të keqe, ne duhet urgjentisht të përmirësojmë nivelin e arsimit. E të flasësh tani për ndarjen gjinore, është thjesht pa kuptim”, thotë Berktay.

Ajo përmend rezultatet e studimit, që verifikoi dijet e nxënësve turq, sipas të cilit, shumë nxënës kanë dobësi të mëdha në matematikë dhe turqisht.