Fjalë Kyçe

Franca e arreston të dyshuarin për krime lufte në Republikën e Afrikës Qendrore

Franca e arreston të dyshuarin për krime lufte në Republikën e Afrikës Qendrore

Autoritetet franceze e kanë arrestuar një person që dyshohet për krime lufte në Republikën e Afrikës Qendrore. Pritet që ai të ekstradohet në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve në Hagë. Prokurorët kanë thënë se Patrice-Edouard Ngaissona ka qenë udhëheqës i lartë i militantëve antiqeveritarë të cilët kishin kryer sulme të vazhdueshme kundër myslimanëve gjatë viteve 2013 dhe 2014.

I dyshuari i ka mohuar akuzat, ndërsa në shkurt të këtij viti ai ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Konfederatës së Futbollit Afrikan, pavarësisht se për këtë përzgjedhje ishin ankuar grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë grupin “Human Rights Watch”. Tribunali Ndërkombëtar i Hagës ka deklaruar se i dyshuari besohet se ka kryer krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjet, shfarosjet, deportimet, përndjekjet, keqtrajtimet, sulmet kundër civilëve dhe rekrutimet e fëmijëve në forca të armatosura.

Një grup hetuesisht të gjykatës ka gjetur arsye të bazuara se i dyshuari ka marrë pjesë në krimet e ndryshme. Republika e Afrikës Qendrore është përballur vazhdimisht me konflikte etnike dhe fetare. Në konfliktin e fundit luftimet janë zhvilluar mes grupeve të myslimanëve dhe të krishterëve, ku kanë mbetur të vdekur mijëra persona, shkruan “Reuters.”