Fjalë Kyçe

I vazhdohet paraburgimi Assange-s

I vazhdohet paraburgimi Assange-s

Themeluesi i faqes “WikiLeaks”, Julian Assange, do të qëndrojë në burg në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara. Gjykata ka thënë se ai mund të fshihet prapë, nëse lihet i lirë.

Ish-ministri i brendshëm britanik, Sajid Javid, e kishte nënshkruar një urdhër në qershor, me të cilin Assange duhet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara në lidhje me akuzat për vjedhje dhe publikim të të dhënave të klasifikuara.

Atij do t’i përfundojë afati i tanishëm për paraburgim më 22 shtator, kur do të duhej të lirohej, por një gjykatë në Westminster i tha se ai do të qëndrojë në burg, sepse ka arsye të mjaftueshme për të besuar se mund të fshihet përsëri nga organet e drejtësisë.

Gjykatësja e qarkut, Vanessa Baraitser, i tha atij: “Jeni thirrur sot për shkak se dënimi juaj me burgim pritet të përfundojë. Kur kjo të ndodhë, statusi juaj do të ndryshojë nga i burgosur në të burgosur që është në pritje të ekstradimit”.

“Sipas pikëpamjes sime, kam arsye substanciale për të besuar se nëse ju liroj, ju do të ikni sërish”, shtoi gjykatësja.

Një seancë tjetër për këtë çështje pritet të mbahet më 21 tetor, ndërsa vendimi përfundimtar për ekstradimin e qytetarit australian pritet të merret në muajit shkurt të vitit të ardhshëm”, shkruan “The Guardian”.